Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror sërish ka dalë sot me një komunikatë, përmes të cilës mbron punën e vet dhe mohon akuzat e dyshimet e të tjerëve ndaj procesit të demarkacionit të kufirit. Thekson se vija kufitare e komunave dhe shtetit të Kosovës është e pandryshuar në periudhën 1974-2016.
Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror përmes argumenteve të plota ka hedhur poshtë një prej pretendimeve më absurde që kanë qarkulluar deri më tani në kauzën politike kundër procesit të shënjimit të kufirit me Malin e Zi, transmeton Koha.net.
Duke iu referuar dokumenteve kushtetuese, ligjore e hartografike, si dhe praktikave të ndjekura nga të gjitha shtetet në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Komisioni ka konfirmuar se është shumë e paqëndrueshme dhe e pakuptimtë kur thuhet se “nuk është humbur territor i komunës por është humbur territor i shtetit!”.
Komisioni ka dëshmuar katërçipërisht se:
1. Nuk ka territor të shtetit që nuk është territor brenda një komune të caktuar.
2. Nuk ka territor të komunës e që ai territor nuk i takon shtetit dhe se shuma e territoreve të komunave e përcakton territorin e shtetit, përkatësisht sipërfaqen e Kosovës.
3. Dhe se, secila komunë e ka territorin e regjistruar me të gjitha pronat private, shtetërore, publike, shoqërore, fetare.
Po ashtu, janë hedhur poshtë pretendimet pa asnjë bazë se në zonën kufitare, ka hapësira të paregjistruara (tokë të askujt – terranullius)
Komisioni, po ashtu, ka numëruar taksativisht të gjitha llojet e parcelave, të tipit pronë shoqërore të regjistruara edhe parcelat e tipit pronë private që e prekin vijën kufitare me Malin e Zi.
Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror garanton që Republika e Kosovës nuk e rrezikon asnjë metër katror të sipërfaqes së saj dhe se ajo është në përputhshmëri të plotë me të gjitha dokumentet zyrtare nga Kushtetuta e vitit 1974 deri në vitin 2016.