Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit Shtetëror sërish ka lëshuar një komunikatë për media, ku thuhet se marrëveshja aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi është në përputhje edhe me marrëveshjen tekniko ushtarake që ishte nënshkruar më 3 qershor të vitit 1999 ndërmjet NATO-s dhe ish-Jugosllavisë.
Lexoni të plotë komunikatën e Komisionit shtetëror:
Një nga çështjet kryesore pas mbarimit të luftës është aspekti i sigurisë së qytetarit dhe siguria e kufirit. Në pajtim me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës në Kosovë janë vendosur forcat ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-i, që kanë pasur për detyrë të ofrojnë një mandat të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të njëjtën kohë t’i kontrollojnë dhe mbikëqyrin kufijtë e Kosovës dhe të mundësojnë hapësirë për vendosjen e organizatave ndërkombëtare në Kosovë.
Në pajtim me këtë marrëveshje janë caktuar gjithashtu edhe zonat e sigurisë, zona ajrore e sigurisë dhe zona tokësore e sigurisë. Pika (d) thotë, zona e sigurisë ajrore është definuar si zonë prej 25 kilometrash dhe tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë dhe Malit të Zi.
Zona e sigurisë tokësore është definuar si zonë prej 5 kilometrash, e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë dhe Malit të Zi.
Marrëveshja tekniko ushtarake, 03 Qershor 1999
U arrit ndërmjet NATO-s dhe RF Jugosllavisë të ndërpritet bombardimi i filluar nga NATO me 24 Mars 1999 dhe përfundoj pas 78 ditësh më 09 Qershor 1999. Sipas Planit të Ahtisaarit dokumentit të dorëzuar dhe hartës që Serbia përkatësisht RFJ duhet të tërhiqet nga territori i Kosovës.
Këtu shtrohet pyetja cili ishte territori i Kosovës?
Përgjigja është në dokumentin e Ahtisaarit pikërisht në Marrëveshjen tekniko ushtarake të 03 Qershor 1999. Përshkrimi i territorit të Krahinës së Kosovës dhe harta e bashkangjitur në këtë marrëveshje është në përputhje të plotë me vijën administrative të Krahinës se Kosovës e zbatuar nga viti 1974 e deri më sot, gusht 2016. Në bazë të kësaj harte është bërë vendosja e forcave ndërkombëtare të sigurisë KFOR-it. Nga marrëveshja tekniko ushtarake e 03 Qershor 1999, në vijim janë shkëputur disa paragraf për qartësim më të mirë për lexuesin.
“Marrëveshja tekniko ushtarake, 03 Qershor 1999
Ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (“KFOR”) dhe Qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë Neni 1: Detyrimet e Përgjithshme
Palët në këtë Marrëveshje riafirmojmë dokumentin e paraqitur nga Presidenti Ahtisaari te presidenti Millosheviq dhe i miratuar nga Parlamenti Serb dhe Qeveria Federale më 03 qershor 1999, për të përfshirë vendosjen e Kosovës nën kujdesin e OKB-së të një pranie efektive civile dhe të sigurisë ndërkombëtare. Palët më tutje theksojnë se Këshilli i Sigurimit ka përgatitur për të miratuar një rezolutë ……….” lidhur me këtë çështje. Dokumenti i plotë mund të shkarkohet nga web faqja në vijim: Military-Technical Agreement between the International Security Force and the Governments of the Federal Republic of Yugoslavia and the Republic of Serbia, signed in Kumanovo on 9 June 1999, available at www.nato.int/kosovo/docu/a990609a.htm.
Neni 1: Detyrimet e Përgjithshme nga marrëveshja janë të shkruara në paragrafin (e). “Zona Tokësore e Sigurisë (ZTS) është përcaktuar si një zonë 5 kilometërshe që zgjatet jashtë territorit të Krahinës së Kosovës, në brendi të pjesës tjetër të territorit të RFJ-së. Kjo përfshin terrenin e zonës brenda atyre 5 kilometrave”. Territori i Krahinës së Kosovës ishte i njohur atëherë dhe tash dhe harta e KFOR-it është në përputhje të plotë me kufirin ndërmjet Krahinës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
- Zona e sigurisë ajrore është e definuar si zonë prej 25 km, e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës, në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë.
- Zona e sigurisë tokësore është definuar si zonë prej 5 km e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë.
- Më 09 Qershor 1999 paragrafi 1 pika (e) shkruan qartë: Nga EIF +11 ditë, të gjitha forcat e RFJ-së në Kosovë do të kenë përfunduar tërheqjen e tyre nga Kosova (bashkëngjitur harta në Shtojcën A të kësaj Marrëveshjeje) në Serbi jashtë Kosovës dhe jo brenda 5 km të Zonës tokësore të sigurisë (ZTS).
Nga kjo shihet se harta dhe marrëveshja është në përputhje të plotë pa ndryshim nga vija administrative 1974-1988-1999 – 2008 dhe kufirit të shënuar nga Komisioni shtetëror dhe i nënshkruar në Vjenë.
Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1244 (1999), në bazë të G-8 që u pajtuan me parimet nën Kapitullin VII duke autorizuar vendosjen e Kosovës nën mbikëqyrjen e OKB-së, vendosjen e një Pranie ndërkombëtare civile – Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK),
Shiko në vijim nga web faqja: United Nations Security Council resolution 1244 of 10 June 1999, available at www.un.org/Docs/scres/1999/sc99.htm
Kronologjia e lirisë së Kosovës www.un.org/Docs/scres/1999/sc99.htmderi me futjen e UNMIK:
– 03 qershor 1999 miratimi i marrëveshjes së RFJ me NATO-Forca e Sigurisë
– 05 qershor përfaqësues të NATO-s dhe të Qeverisë Jugosllave finalizuan detajet në përgatitjen e një marrëveshjeje ushtarake-teknike.
– 08 qershor G-8 Ministrat e Jashtëm, në një takim të mbajtur në Këln, arritën një marrëveshje mbi një projekt-rezolutë për Kosovën për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, i dërguari Ahtisaari u takua me presidentin kinez dhe ministrin e jashtëm kinez në Pekin.
– 09 qershor 1999, pas 78 ditë të fushatës ajrore dhe nën presionin e Rusisë, Serbia pranoi kushtet e armëpushimit dhe nënshkruan marrëveshjen ushtarake-teknike
– 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e aprovon Rezolutën 1244.
Dokumentet e aprovuara e kanë fuqinë e plotë dhe janë absolutisht obligative për Kosovën sepse marrëveshja dhe harta në këtë periudhë janë në tavolinën e vendimmarrësve. Teksti i marrëveshjes u citua dhe harta është e bashkëngjitur në vijim. United Nations Security Council resolution 1244 of 10 June 1999, available at www.un.org/Docs/scres/1999/sc99.htm. Included as Annex 1 to United Nations Security Council resolution 1244, op.cit.
Forcat e Republikës Federative të Jugosllavisë, nuk do të hyjnë, nuk do të hyjnë përsëri, dhe nuk do të qëndrojnë në territorin e Kosovës, pa pëlqimin e komandantit të forcave ndërkombëtare të sigurisë KFOR. KFOR ka kontrolluar dhe mbikëqyrë vijën kufitare Kosovë – Mali i Zi, në pajtim me Marrëveshjen teknike- ushtarake, dhe aneksin e hartave të kësaj Marrëveshje (harta e bashkëngjitur).
Në hartën e 09 Qershor 1999 në vijim është paraqitur kufiri i Kosovës dhe zona e sigurisë tokësore prej 5km.
Kur thuhet nuk do të hyjnë në territorin e Kosovës, apo,KFOR ka kontrolluar dhe mbikëqyrë vijën kufitare nënkuptohet që ajo vijë dhe ai territor është i përcaktuar në hartën e NATO/KFOR i cili është plotësisht në përputhje me vijën administrative 1974-1988-1999-2008 dhe 2016.
Derisa autoritet e Malit të Zi, nuk kanë pasur qasje në këtë zonë 5 km brenda territorit të Malit të Zi, gjatë kësaj kohe qytetarë të Kosovës, kanë hyrë, qëndruar dhe lëvizë në këtë zonë, pa u penguar nga autoritetet e Malit të Zi. Qytetarët e Kosovës, gjithashtu kanë shfrytëzuar këtë zonë edhe për kullosa. Disa prej tyre edhe kanë zhvilluar disa biznese pompa të derivateve të improvizuara,kontrabanda me cigare dhe kafe.
Në vitin 2004 është marrë një aksion i KFOR-it me policinë e Kosovës dhe nga kjo zonë janë larguar qytetarët e Kosovës. Janë larguar bizneset e improvizuara, është sekuestruar një sasi e derivateve të naftës, kafes dhe cigareve, janë larguar gypat me të cilin është bërë kontrabandë me derivate të naftës deri në fshatin Novosellë të Pejës.
Kompetencat e Policisë së Kosovës
Fillimisht, pas luftës në Kosovë, vetëm KFOR-ika qenë autoritet për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve të Kosovës. Me krijimin e Shërbimit Policor të Kosovës, tani Policia e Kosovës, me ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj, ka filluar të kontrolloj dhe mbikëqyrë kufijtë e Kosovës, së bashku me KFOR-in, përmes patrullimeve të përbashkëta. Kufirin,këtë që ishte nga viti 1974-1988 e deri më sot gusht 2016 me Malin e Zi, Policia e Kosovës, ka filluar ta kontrolloj dhe mbikëqyr së bashku me KFOR-in nga viti 2001. Për këtë është dorëzuar edhe harta e marrëveshjes së Ahtisaarit të bashkëngjitur në këtë shkrim.
Me krijimin e infrastrukturës ligjore për Kufij, Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e kufijve, si dhe me avancimin e bashkëpunimit me policitë kufitare të shteteve fqinje dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim policor ndërkufitar, KFOR, pas heqjes së zonës së sigurisë/zonës ajrore dhe tokësore të sigurisë në vitin 2008, ka filluar bartjen e kompetencave për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit në Policinë e Kosovës. Kjo bartje e përgjegjësive është bërë marrëveshje në mes të KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe EULEX-it, pasi që janë vlerësuar kapacitet humane dhe teknike të Policisë së Kosovës, për marrjen e këtyre përgjegjësive, në këto marrëveshje është zbatuar kufiri / vija kufitare në bazë të Marrëveshjes teknike ushtarake KFOR:
- 03 Shtator 2011KFOR-i ka dorëzuar të Policia e Kosovës kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit me Malin e Zi.
Policia e Kosovës, sot ka Protokolle për Patrullime të Përbashkët me policitë kufitare të shteteve fqinje: Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Këta kufij patrullohen bashkërisht nga autoritetet e shteteve respektive.
Policia e Kosovës e kontrollon dhe mbikëqyrë kufirin Kosovë / Mali i Zi, kufirin / vijën kufitare e cila është dorëzuar nga KFOR te Policia e Kosovës, në pajtim me Rezolutën 1244, Marrëveshjen teknike ushtarake të 09 Qershorit 1999 ( aneksi i hartave ), kufi i cili është përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit, i cili plan është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe me të cilin është shpallur Pavarësia e Kosovës, dhe me këta kufi, Kosova është njohur nga shtete të botës.
Marrëveshja për trafikun lokal ndërkufitar
Kosova ka të nënshkruar me Malin e Zi, Marrëveshjen për trafikun lokal ndërkufitar. Trafiku kufitar lokal, është kalimi kufirit nga banorët e zonave kufitare me qëllim të qëndrimit në zonën kufitare të palëve për arsye sociale, kulturore, sportive, arsimore, ekonomike, familjare, fetare, apo për arsye të tjera të ligjshme.
Kjo marrëveshje iu mundëson qytetarëve të shteteve respektive, të kalojnë kufirin Kosovë – Mali i Zi, jashtë pikave të kalimit të kufirit, në vendet më të përshtatshme për ta. Të qëndrojnë, lëvizin dhe ushtrojnë veprimtari, në territoret respektive. Kjo lëvizje, qëndrim, kullosa shtrihet deri 30 km nga vija kufitare në brendësi të territoreve respektive”.