Komisioni i Venecias “godet” Ilir Metën: Zgjedhjet e qershorit ishin legjitime

Komisioni i Venecias ka vulosur legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke hedhur poshtë kështu një tjetër shtyllë mbi te cilën bazohet sot qëndrimi politik i opozitës. Në raportin që do të zyrtarizohet në 11 tetor, një draft i të cilit u zbulua dje nga Report Tv, shkruhet qartë se Presidenti i Republikës Ilir Meta me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit ka tejkaluar kompetencat kushtetuese 

Rrjedhimisht zgjedhjet vendore që u mbajtën vetëm me pjesëmarrjen e koalicionit socialist, nga pikëpamja kushtetuese janë plotësisht legjitime. Një verdikt që është shumë i vështirë të mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetues kur ajo të krijohet, pasi vendimi i Venecias bazohet pikërisht mbi interpretimin e Kushtetutës shqiptare.

Sipas Komisionit të Venecias, argumenti i përdorur nga presidenca, por edhe nga opozita, sipas të cilit kompetenca për të dekretuar zgjedhje prodhon automatikisht edhe të drejtën ”negative” për ta zhdekretuar atë, nuk qëndron pasi Kushtetuta përcakton qartë rastet e rralla kur kjo ”actus kontrarius” është e pranuar, dhe data e zgjedhjeve nuk është përfshirë në listë. 

Sipas ekspertëve të Komisionit të Venecias, e drejta e zgjedhjeve është një nga të drejtat themelore të njeriut, Anulimi ose shtyrja e zgjedhjeve, cenon direkt të drejtën e qytetarëve për të votuar, e cila është e drejtë e njeriut – shkruan komisioni – dhe nuk mund të ekzistojë një kompetencë e Presidentit që anulon një nga të drejtat themelore të njeriut pa një proporcionalitet.

Një tjetër argument i përdorur nga Ilir Meta dhe nga opozita për ta legjitimuar zhdreketimin e 30 qershorit, ka qenë mospjesëmarrja e opozitës, por edhe ky argument është hedhur poshtë nga raporti. Sipas Venecias, bojkoti elektoral i subjekteve politike, edhe nëse ata përfaqësojnë një pjesë të madhe të votuesve nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve. 

Përndryshe, çdo parti do të fitonte mundësinë të pengonin çdo proces zgjedhor. Komisioni evidenton edhe faktin që mospjesëmarrja në zgjedhje ka qenë një vendim vullnetar i disa forcave politike dhe jo një pengesë e vendosur nga ndonjë organ shtetëror.

Edhe rreziku i tensionit social apo një sulm i mundshëm ndaj Kuvendit, përdorur nga presidente si argument kryesor për anulimin e zgjedhjeve, është hedhur poshtë nga Komisioni i Venecias si i pabazuar. Kushtetuta shqiptare parashikon qartë që zgjedhjet mund të shtyhen vetëm në rast lufte ose të gjendjes së jashtëzakonshme, dhe në këto raste i takon kuvendit dhe jo presidentit të përcaktojë statusin e gjendjes së jashtëzakonshme nëpërmjet një ligji.

Në raport zbulohet për herë të parë  që edhe Ministria e Brendshme kishte marrë të njëjtat informacione të përmendur nga Ilir Meta dhe të ardhura nga organet ligjzbatuese mbi një plan të mundshëm për të djegur Kuvendin, gjatë protestës së 8 qershorit, por Ministria e Brendshme ka deklaruar qe ky rrezik nuk ka qenë kurrë real, dhe se policia kishte marre të gjitha masat e nevojshme për të penguar një sulm të tillë.

Konkluzioni i raportit është i qartë: Ilir Meta, ndryshe nga çfarë pretendon ai por edhe opozita, nuk ka pasur asnjë tagër kushtetues për të anuluar datën e zgjedhjeve vendore. Pra zgjedhjet vendore të 30 qershorit kanë qenë legjitime. Për sa i përket shkarkimit të presidentit, komisioni gjykon se shkelja kushtetuese sipas tyre, nuk ka qenë kaq e rëndë për të justifikuar shkarkimin (ose impeachment), megjithatë i takon kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të vendosë.

Megjithatë si në rastin e legjitimitetit të 30 qershorit, edhe për mos shkarkimin e Presidentit, raporti i Komisionit të Venecias do ndikojë mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

Pra duke parashikuar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, mbi bazën e raportit të Komisionit të Venecias, me sa duket zgjedhjet vendore të 30 qershorit do mbeten legjitime, por Presidenti Ilir Meta  nuk do të shkarkohet. Mbetet për të kuptuar nëse pas kritikave të Venecias, Presidenti Meta do të vendosë të japë dorëheqjen.