Komisioni Evropian rekomandoi të premten që Ukrainës t’i jepet statusi i kandidatit për në Bashkimin Evropian, një hap i parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit për vendin e shkatërruar nga lufta, raportoi AP.
Rekomandimi nga krahu ekzekutiv i BE-së tani do të diskutohet nga krerët e bllokut 27-vendesh gjatë një samiti javën e ardhshme në Bruksel. Nisja e bisedimeve të pranimit kërkon miratimin unanim nga të gjitha vendet anëtare.
Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ky takim i Komisionit vjen një ditë pasi katër liderë evropianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.
Franca, Gjermania, Italia dhe Rumania janë në favor që Ukraina të marrë “menjëherë” statusin e vendit kandidat, tha më 16 qershor në Kiev, presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Vizita e liderëve evropianë në Kiev kishte një simbolikë të fuqishme se BE-ja mbështet Volodymyr Zelenskyn, i cili i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i ofrojë shtetit të tij anëtarësim përmes procedurave të shkurtuara, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte “përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit të paprovokuar rus.
Zelensky ka dorëzuar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim në BE pak kohë pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt. /koha