Komisionerja e Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian, Ylva Johansson tha se Greqia po kthen prapa refugjatët nga deti në Turqi në mënyrë të paligjshme dhe se kjo është “shkelje e vlerave themelore evropiane”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për BBC, Johansson tha se qeveria greke duhet të ndalë dëbimin në mënyrë të paligjshme të emigrantëve që mbërrijnë në kufijtë e vendit.
Ajo theksoi se sipas raporteve të bazuara mirë lidhur me kthimin prapa në det dhe në tokë, këto janë shkelje të vlerave themelore evropiane.
Johansson shtoi se kthimet prapa sfidojnë vlerat themelore të BE-së dhe duhet të ndalen. “Teksa ruajmë kufijtë tanë ruajmë edhe vlerat tona. Nuk mund të ketë asnjë kontradiktë mes këtyre. Përse jemi krenarë që jemi evropianë? Përse BE-ja është një vend ku shumë njerëz dëshirojnë të jetojnë? Arsyeja e kësaj janë vlerat tona, mbrojtja e të drejtave themelore”.
“Ka përgjegjësi ndërkombëtare ndaj refugjatëve”
Natasha Dailiani, avokatja e Legal Centre Lesvos, organizatës së shoqërisë civile e cila operon në Greqi, informoi se ndaj refugjatëve ka përgjegjësi ndërkombëtare dhe se Greqia duhet ta zbatojë këtë.
Dailiani tërhoqi vëmendjen se kthimet prapa janë shkelje edhe e ligjit të BE-së dhe se e drejta e strehimit është e përfshirë në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore.
Bëhet e ditur se Ministria greke për Migracionin dhe Refugjatët e cila mohon kthimet prapa dhe e cila mbron idenë e saj se parandalon tregtinë e paligjshme drejt Evropës, ka refuzuar kërkesën e BBC-së për intervistë.
Dhuna kundër emigrantëve të parregullt dhe mënyra e kthimit prapa, shkelje e ligjit ndërkombëtar
Greqia e cila me arsyen për luftën kundër valës së migracionit të paligjshëm vendos në kufirin e saj pajisje elektronike në kapacitetin për të shkaktuar shurdhim të dëgjimit, që zbaton dhunë ndaj emigrantëve që mbërrijnë në vendin e saj dhe e cila zbaton në mënyrë sistematike mënyrën e “kthimit prapa”, vazhdon të shkelë ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e BE-së.
Praktikat e Rojës Bregdetare të Greqisë të cilët kthejnë prapa me detyrim gomonet e refugjatëve që përpiqen të kalojnë nëpërmjet detit nga brigjet e Turqisë për në ishujt grekë të tillë si Lesbos, Samos dhe Kos, reflektohen në lajmet e institucioneve të medias ndërkombëtare dhe raportet e organizatave të paanshme të shoqërisë civile.
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka përpiluar nga raportet e “Amnesty International” dhe të organizatave joqeveritare që zhvillojnë aktivitete lidhur me situatën e refugjatëve në Egje, Greqia përdor gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba plastikë kundër atyre të cilët përpiqen të kalojnë kufirin tokësor në Maritsa e cila është zonë kufitare me Turqinë.
Dëshmitarët e dhunës tregojnë se njësitë kufitare greke kryejnë një sërë shkelje ligjore, përfshirë përdorimin e forcës joproporcionale, goditjet, përdorimin e municioneve të vërteta, arrestime të paligjshme dhe kthimet prapa në mënyrë sistematike drejt Turqisë.
Në ngjarjet e dokumentuara me pamje të organizatave të medias ndërkombëtare, vërehet se edhe Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit të BE-së (FRONTEX) është gjithashtu e përfshirë në rastet e dhunës dhe kthimet prapa në mënyrë sistematike që elementët grekë zbatojnë ndaj emigrantëve. /aa