Ballina Artikuj Komenti i ajetit: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni”

Komenti i ajetit: “Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni”

Ky ajet kuranor flet për mëshirën e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij. Ai kërkon prej tyre që t’i binden Atij aq sa të kenë mundësi. Ky urdhër kuranor është prej parimeve themelore të sheriatit. Në të njëjtën kohë ai tregon se sheriati është i përhershëm, megjithë situatat dhe rrethanat e panumërta që krijohen në çdo kohë dhe në çdo vend. Ky ajet kuranor e lejon të ndaluarën në rast domosdoshmërie,[1]ashtu sikur e lejon njeriun të zgjedhë të keqen më të vogël nëse i duhet me përzgjedh mes dy këqijave. Në situata të vështira, ky ajet kuranor i dhuron muslimanit qetësi dhe paqe përderisa ai vazhdon ta ketë frikë Allahun e Lartësuar brenda mundësive të tij. Gjithashtu ky ajet kuranor e motivon muslimanin që ta përballojë me sukses situatën emergjente në të cilën ndodhet dhe në të njëjtën kohë ai përpiqet maksimalisht që të gjejë zgjidhjen e duhur.

Parimi i frikës brenda mundësive të njeriut tregon se nëse personi juridik është i paaftë të kryejë një obligim fetar, atëherë ai nuk e ka për detyrë të kryejë atë. Apo nëse ai ka mundësi që një pjesë të obligimit fetar ta kryejë kurse një pjesë tjetër nuk ka mundësi, atëherë le të kryejë atë që ka mundësi. Profeti (a.s) ka thënë: “Nëse ju jap urdhër për një gjë, atëherë ju kryejeni atë aq sa të keni mundësi.”[2]

Dijetarët kanë thënë se tek ky parim bëjnë pjesë aq shumë çështje saqë është e vështirë t’i përmendësh. Megjithatë, ne po përmendim vetëm disa shembuj sa për ilustrim:

Një ndër shembujt më konkret në lidhje me këtë parim është fjala e Profetit (a.s) drejtuar shokëve të tij: “O ju njerëz! Allahu jua ka bërë obligim Haxhin, prandaj kryejeni atë! Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut! A për çdo vit (duhet ta kryejmë haxhin)? Profeti (a.s) heshti, dhe kur burri e tha atë fjalë 3 herë, Profeti (a.s) tha: Nëse do të thoja: Po, ai (haxhi) do të bëhej obligim për çdo vit, gjë që ju do ta kishit të vështirë ta bënit. Më pas ai (a.s) tha: Mos më bëni pyetje (të tepërta) përderisa ju kam lënë të lirë (që nuk ju kam urdhëruar apo ndaluar me ndonjë gjë)! Ata që kanë qenë përpara jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe ngaqë kanë kundërshtuar urdhrin e Profetëve të tyre (pasi kanë marrë përgjigjen e pyetjes). Nëse ju jap urdhër për një gjë, atëherë ju kryejeni atë aq sa të keni mundësi. E nëse ju ndaloj për kryerjen e diçkaje, lëreni atë.”[3]

Kush dëshiron të falë namazin e ka për detyrë që të marrë abdes. Mirëpo nëse ai nuk gjen ujë, ose për ndonjë arsye të justifikuar nga Sheriati nuk mund ta përdorë ujin për të marrë abdes, i lejohet që në vend të ujit të marrë tejemum me dhé. Sepse kjo është ajo gjë për të cilën njeriu ka mundësi ta kryejë.

Namazet farz, muslimani duhet t’i falë sipas rregullave të përcaktuara, duke qëndruar në këmbë kur lexon Kuran, duke rënë në ruku e sexhde e kështu me rradhë. Mirëpo nëse muslimani nuk ka mundësi të falet në këmbë, atëherë i lejohet që të falet ulur, e nëse nuk ka mundësi të falet ulur le të falet i shtrirë, e nëse nuk ka mundësi të falet i shtrirë atëherë le të lëvizë kokën, e nëse nuk ka mundësi as të lëvizë kokën atëherë le të falet me shenja.

Muslimani e ka për detyrë që gjatë Ramazanit të agjërojë nga koha e imsakut deri në kohën e iftarit. Mirëpo nëse muslimani është sëmurë dhe agjërimi e përkeqëson gjendjen e tij shëndetsore, atëherë i lejohet muslimanit që mos ta agjërojë atë ditë, apo aq ditë sa është sëmurë dhe pas Ramazanit t’i kompesojë ato ditë që i ka lënë mangët.

Kurse përsa i përket adhurimit madhështor të Haxhit, ai është ndërtuar mbi bazë të mundësisë. Ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Vizita e Qabes (kryerja e haxhit) është obligim për atë që ka mundësi.”[4] Kush nuk gjen vend për të qëndruar në Mina apo në Muzdelife, atëherë ai mund të qëndrojë kudo që të gjejnë vend, pranë Minas apo Muzdelifes.

Nëse muslimani shikon një të keqe duhet ta ndërrojë me dorë, nëse nuk ka mundësi e bën me gojë e nëse nuk ka mundësi e bën me zemër.

Nëse kryetari i shtetit dëshiron të vendosë dikënd në një post të caktuar, ai duhet të zgjedhë njeriun e përshtatshëm për atë post. Mirëpo nëse ky njeri nuk gjendet, ai (kryetari) nga kandidatët e mundshëm do të përzgjedhë atë që është më i përafërt në plotësimin e kushteve për atë post.

Shembujt e mësipërm janë thjesht një ilustrim i këtij parimi madhështor të fesë islame, ndërkohë përveç këtyre shembujve ka edhe plot shembuj të tjerë që është e vështirë të përmblidhen në këtë komentim të këtij ajeti.

Përktheu: Elton Harxhi

[1]  – Si në rastin kur njeriut i lejohet të hajë mish derri – sa për të mbajt shpirtin gjallë – nëse është gati duke vdekur dhe nuk gjen ushqim tjetër përveç tij.

[2] – Buhariu (7288) dhe Muslimi (1337).

[3] – Muslimi (1337).

[4] – Sure Ali Imran: 97.

Exit mobile version