Kombëtarja luan për tri pikë në Minsk

Seleksionuesi Edy Reja ka paralajmëruar se Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë kundër Bjellorusisë për ta fituar ndeshjen.

Në konferencën për shtyp, që u mbajt të enjten në Minsk, ku edhe do të luhet ndeshja, Reja ka pranuar se synim i “kuqezinjve” janë tri pikët qysh në start të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve.

Ndeshja Bjellorusi – Shqipëri zhvillohet të premten (sot) prej orës 20:45 dhe i takon Grupit 4 të Ligës C, të cilin e përbëjnë edhe Lituania e Kazakistani, që do të përballen mes vete nga ora 18:00. Krahas triumfit ndaj Bjellorusisë, tekniku italian Reja ka thënë se do të ishte mirë që Shqipëria ta përfundonte këtë edicion të Ligës së Kombeve e para në grupin e saj.

Kombëtarja e Shqipërisë të mërkurën mbrëma ka zbarkuar në kryeqytetin bjellorus dhe të enjten ka mbajtur stërvitjen e vetme në Minsk para ndeshjes me Bjellorusinë.

“Objektivi është ta fitojmë këtë ndeshje, mundësisht pastaj edhe grupin. Më shqetëson gjendja fizike, sepse lojtarët tanë nuk e kanë nisur ende kampionatin, ndërsa Bjellorusia është në mes të aktivitetit. Gjatë javës i kam parë mirë lojtarët. Nuk di nëse do të mund të përballojmë 90 minuta, por një orë po, shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Shqipëria ka punuar mirë. Kemi disa të rinj që kanë cilësi që mund të vlejnë për të ardhmen. Stërvitja është diçka tjetër, ndeshja është diçka tjetër. Ngelet për t’u parë si do të reagojë skuadra. Jam i kënaqur me atmosferën dhe përkushtimin në stërvitje. Skuadrën bjelloruse e njoh, e kam studiuar”, është shprehur Reja, duke paralajmëruar se nuk do të bëjë eksperimente me ekipin, pasi do të luajnë futbollistët që zakonisht janë aktivizuar.

“Nuk do të jetë lehtë për ne, por besoj se ekipi do të japë maksimumin. Shqetësimi i vetëm për mua është se kemi vetëm tri zëvendësime, dhe jo pesë siç ka ndodhur në nivel klubesh”.

Tri ditë pas ndeshjes me Bjellorusinë, Shqipëria e pret Përfaqësuesen e Lituanisë në Tiranë. Kështu që fitorja në Minsk do të motivonte futbollistët për një tjetër rezultat pozitiv në shtëpi dhe këtë e ka pranuar edhe kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj.

Mbrojtësi i krahut të djathtë insiston se në Minsk do të luajnë për tri pikët ndaj Bjellorusisë, për një start të fuqishëm në Ligën e Kombeve. Ngjashëm sikurse Reja, edhe Hysaj ka pranuar se forma fizike është ajo që e shqetëson më së shumti. Sipas tij, pikërisht forma fizike do të jetë problemi më i madh i Shqipërisë ndaj Bjellorusisë, por ka shtuar se dëshira e madhe për fitore mund ta kompensojë një gjë të tillë.

“Nuk jam 100% i përgatitur, pasi një javë kam që nisa stërvitjen. Ky do të jetë problemi ynë, pasi forma fizike nuk është shumë e mirë. Ekipi kundërshtar ka filluar kampionatin, ndërsa ne jo. Ne duhet të kuptojmë kur të sulmojnë e kur të mbrohemi”, ka deklaruar Hysaj. “Për ne është e rëndësishme që këtë rrugëtim në Ligën e Kombeve ta nisim mirë që në ndeshjen e parë. Duhet ta fillojmë mirë. Jemi gati për të luftuar për 3 pikë”.

Krahas synimeve për fitore, Hysaj ka folur edhe për grumbullimin e parë të Shqipërisë pas një kohe të gjatë. Hysaj ka thënë se edhe mungesat te Shqipëria do të ndihen dukshëm për shkak se seleksionuesi Reja nuk do t’i ketë në dispozicion shtatë futbollistët: Marash Kumbulla, Armando Broja, Ermir Lenjani, Florian Kamberi, Ardian Ismajli, Hysen Memolla e Ylber Ramadani.

“Jemi bashkuar si më përpara. U bënë shumë muaj që nuk jemi takuar. Të them të drejtën na kanë bërë mirë, pasi na ka bërë të ndiejmë mungesën e kombëtares. Kjo mungesë e gjatë mendoj se na ka afruar më shumë me njëri-tjetrin”, shtoi Hysaj. “Kemi mungesa, por gjithashtu edhe lojtarë të rinj dhe të talentuar, me të cilët mund të ecim përpara. Besoj në këtë grup dhe shpresoj që në këto dy ndeshjet e para të marrim pikët e plota, që do të ishte shumë e rëndësishme për ne”.

Ndërkohë te Bjellorusia janë të vendosur për një paraqitje të mirë. Përzgjedhësi Mikhail Markhel e vlerëson Ligën e Kombeve si një garë shumë të rëndësishme për ekipin e tij. Ai ka pranuar se atmosfera në Bjellorusi nuk është shumë e mirë si pasojë e protestave që kanë shpërthyer kohët e fundit.

“Situata është me të vërtetë e jashtëzakonshme, por ne duhet të përshtatemi me këtë. E kam thënë edhe më parë, nuk ka rëndësi çfarë kundërshtari kemi përballë, nuk ka më ndeshje miqësore, për më tepër Liga e Kombeve mund të na shtyjë drejt një turneu madhor. Besoj se mund të kemi një paraqitje të mirë, e cila në fund do të na sjellë edhe një rezultat pozitiv që është i dëshiruar”, shtoi ai.