Përfaqësuesja e futbollit të Kosovës brenda katër ditësh do t’i ketë dy sfida në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Futbollit, që do të mbahet në Rusi, në vitin 2018.Futbollistët e Kosovës, të zgjedhur nga përzgjedhësi i përfaqësueses, Albert Bunjaki, të enjten në mbrëmje do të jenë nikoqir në takimin me Kroacinë dhe ndeshja do të zhvillohet në Shkodër të Shqipërisë, për shkak të mungesës së një stadiumi në Kosovë, të certifikuar nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA).Ndërkaq, më 9 tetor, përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë takimin me Ukrainën, në Poloni, për shkak se rivalja e saj, brenda Grupit ‘I’, nuk e ka njohur ende shtetin e Kosovës.Përzgjedhësi i përfaqësueses së futbollit të Kosovës, Albert Bunjaki, gjatë stërvitjes së fundit të kësaj përfaqësueseje në Kosovë, është shprehur optimist lidhur me takimet që e presin përfaqësuesen e Kosovës.Sfidën me Kroacinë, përfaqësuesja e së cilës vlerësohet si mjaft e mirë, ai e sheh me optimizëm dhe me pritje, siç i quan ai, reale për një rezultat pozitiv për Kosovën. Pritje të ngjashme ka edhe nga takimi me Ukrainën.“Normalisht që është reale. Në momentin që fillon loja ne e kemi një barazim. Është reale, sepse në ndeshje të futbollit çdo gjë mund të ndodhë. Mirëpo, njëkohësisht, mendoj që edhe opinioni e di që do të ballafaqohemi me dy kundërshtarë që kanë qenë në kualifikime në kampionate evropiane. Ne do ta japim jo vetëm maksimumin, por ta tejkalojmë 120 për qind. Nëse mendojmë që të nxjerrim diçka prej kësaj, është e domosdoshme ta bëjmë këtë”, thotë Bunjaki.Optimist për takimin me Kroacinë, por edhe për takimin me Ukrainën, janë edhe lojtarët e përfaqësueses së Kosovës.Valon Berisha, mesfushor, thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht që me bashkëlojtarët e tij kanë krijuar një ekip të ri dhe se nuk kanë luajtur së bashku mjaft ndeshje, megjithatë do të përpiqen të arrijnë rezultatet optimale.Më poshtë shikojeni videon nga stërvitja e djeshme e Kosovës para ndeshjes me Kroacinë:“Disponimi, normalisht, është i madh, sepse po i takojmë dy ekipe shumë të forta, Kroacinë dhe Ukrainën. Megjithatë, ne jemi ekip i ri, vetëm sa jemi duke u formuar. Kjo ka nevojë për kohë. E dimë se do ta kemi vështirë në këto dy lojë, por na merr mendja se mund të befasojmë në këtë grup. Kemi ekip të mirë, lojtarë të mirë. Sa të bashkohemi dhe të bëhemi grup më i fortë, si individ, por edhe bashkë, ma merr mendja se mund ta luajmë një rol të mirë në këtë grup. Por, së pari, hap pas hapi”, thotë Berisha.Berisha kishte shënuar golin e parë për Kosovën në takimin e parë kualifikues për botërorin Rusia 2018, në ndeshjen me Finlandën, me të cilin gol ka barazuar rezultatin. Ky rezultat i solli Kosovës një pikë.Përzgjedhësi Bunjaki thekson se aspiratat e përfaqësueses së futbollit të Kosovës janë që të sigurojë rezultat sa më të mirë, të paktën për renditjen tabelore të FIFA-s, e cila do të ishte e vlefshme edhe për kampionatet e ardhshme.“Do të kyçemi prej lojës në lojë, që të nxjerrim rezultate sa më të mira, të cilat, gradualisht, sigurisht që do të ndikojnë edhe në renditjen tabelore të FIFA-s. Kjo pastaj do të ndikojë për vet shortin për kampionatin tjetër. Mirëpo, nëse na jepet mundësia, do t’i rrisim apetit, normalisht. Por, duhet të dimë që kemi të bëjmë me kundërshtarë shumë të fortë. Mirëpo, Kosova, gradualisht do të jetë gjithnjë e më e fortë”, thotë ai.Pjesëmarrja e Kosovës në kualifikimet për botërorin Rusia 2018 u bë e mundur pas pranimit të Kosovës në FIFA, më 13 maj të këtij viti, pranim të cilit i kishte paraprirë edhe anëtarësimi i Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), më 3 maj, po të këtij viti.Kosova i zhvillon ndeshjet kualifikuese në kuadër të Grupit ‘I’, në të cilën janë edhe Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda. (REL)