Ballina Lajmet Kosovë Komandanti i zjarrfikësve në Prishtinë jep detaje për aksidentin me fatalitet në...

Komandanti i zjarrfikësve në Prishtinë jep detaje për aksidentin me fatalitet në Badoc

Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në rrugën Gjilan-Prishtinë ku kanë mbetur të vdekur tre persona, ku vetura ka rënë në Liqenin e Badocit.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka dhënë detaje shtesë për teve1.info

Ai tha se informatën e kanë pranuar në ora 23:49.

Gashi bëri të ditur se kur kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë parë shenja dhe pjesë të veturës, mirëpo vetura nuk është parë meqë ka qenë e zhytur.

Tutje, Gashi theksoi se kanë kërkuar angazhimin e FSK’së, ekipin e zhytjes.

Gashi bëri të ditur se FSK-ja fillimisht ka tërhequr dy trupa e pastaj veturën ku ishte edhe trupi i viktimës së tretë.

“Në ora 23:49 , është pranuar informata se një veturë ka rënë ne Liqenin e Badovcit dhe ka njerëz brenda. Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, aty janë parë shenja dhe pjesë të veturës që ka rënë në liqen, mirëpo, vetura ishte zhytur në ujë dhe nuk është pa. Është kërkuar që të angazhohet FSK pasi që kanë ekip të zhytjes. Ekipi i zjarrfikës së bashku me tre peshkatarë që kishin barkë kanë gjetur vendndodhjen e veturës dhe kemi tentuar për ta tërhequr nga uji , por nuk kemi arritur sepse ishte thellësi. Kanë arritur ekipet e FSK, ( ekipi i zhytjes) , kanë fillu kërkimin, është gjetur vetura dhe trupat e pajetë. FSK ka tërhequr dy trupa të pa jetë dhe ju kane dorëzuar shërbimeve mjekësore dhe IML. Kemi tërhequr edhe veturën ku ne te ishte edhe një person i pajetë”, tha Gashi.

Ndërsa edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për teve1.info se si pasojë e aksidentit tre persona kanë vdekur.

Ajo shtoi se kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.

“Mbrëmë rreth orës 23:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Gjilan -Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, ka qenë i përfshirë, një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të vdekur tre persona. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku.”

Exit mobile version