Ballina Lajmet Kosovë Komandanti i FSK-së, Jashari: Në bashkëpunim me aleatët jemi gati t’i shërbejmë...

Komandanti i FSK-së, Jashari: Në bashkëpunim me aleatët jemi gati t’i shërbejmë paqes dhe të parandalojmë luftërat

Është duke u zhvilluar Konferenca vjetore ndërkombëtare “FSK dhe Partnerët 2024”.

Me këtë Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Forcës ë Sigurisë së Kosovës në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve të reja dhe bashkëpunimit të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë.

Jashari e vlerësoi mbështetjen e partnerëve si thelbësore për suksesin e FSK-së, derisa tha se projektet e përbashkëta janë duke avancuar përmes koordinimit të vazhdueshëm.

“Mbështetja e juaj deri në këtë fazë ka qenë thelbësore në zhvillimin e Forcës së Sigurisë dhe së bashku e kemi shndërruar në histori suksesi”, deklaroi Jashari, transmeton lajmi.net.

Po ashtu ai tha se nga prioritetet kryesore të FSK-së është përkushtimi ndaj trajnimeve dhe stërvitjeve ekskluzivisht me shtetet anëtare të NATO-s.

“Ky është tregues i seriozitetit tonë për fokusin tonë strategjik për anëtarësimin në Aleancën më të rëndësishme ushtarake në botë. Përderisa përgatitemi të hyjmë në një fazë të fundit të tranzicionit, ne gjithashtu hyjmë në një fazë komplekse të zhvillimit të aftësive të reja dhe mirëmbajtjes së kapaciteteve aktuale”, u shpreh ai.

Gjenerallejtënant Jashari ka theksuar rëndësinë e gatishmërisë për të përmbushur misionet kushtetuese dhe ligjore, si dhe për të mbështetur Aleancën në sfidat e sigurisë rajonale dhe globale.

“Prandaj, është thelbësore që të vazhdojmë të kemi përkrahjen tuaj dhe së bashku të rrisim kapacitetet tona të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë për reagim në kohë. Vetëm kështu mund të jemi gati që t’i shërbejmë paqes dhe të parandalojmë luftërat”,shtoi ai.

Exit mobile version