Kolumbi, qytetarët i thonë “Jo” paqes me FARC

Kolumbianët kanë hedhur poshtë marrëveshjen historike të paqes me rebelët majtistë FARC, marrëveshje për të cilën ishte mbajtur referendum.

Fitorja e papritur e kampit “Jo” ishte mjaft befasuese. Në përgjithësi qytetet kryesore ishin në favor të “Po”, për dallim nga zonat rurale.

Presidenti kolumbian Juan Manuel Santos ka theksuar në një fjalim drejtuar kombit se armëpushimi aktual do të vazhdojë.

Ndërsa Komandanti i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, apo FARC, dha një mesazh të ngjashëm nga Havana, ku negociatat e paqes ishin duke u zhvilluar gjatë katër viteve të fundit.

Kundërshtarët e paktit ende duan marrëveshje paqeje, por thonë se marrëveshja ishte shumë e butë ndaj rebelëve duke i lejuar ata që të ri-hyjnë në shoqëri, të formojnë një parti politike dhe të ju ikin dënimeve me burg.

Për dekada me radhë, FARC financuan konfliktin më të gjatë në Kolumbi, nëpërmjet tregtisë së paligjshme të drogës, rrëmbimeve dhe grabitjeve. Konflikti mori më shumë se 220,000 jetë njerëzish, dhe ka zhvendosur miliona njerëz. /MESAZHI/