Kolonët ilegalë izraelitë i vënë zjarrin një xhamie në Bregun Perëndimor të pushtuar

Kolonët ilegalë izraelitë i vunë zjarrin Xhamisë Bir al-Walidain në fshatin Marda, në Bregun Perëndimor të pushtuar në veri, raporton Anadolu.

Dëshmitarët thanë se një grup kolonësh të paligjshëm sulmuan fshatin Marda, afër qytetit Salfit, dhe qëllimisht i vunë flakën xhamisë.

Banorët arritën të shuanin flakët, por zjarri tashmë kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në strukturën e xhamisë.

Fshati Marda është afër me vendbanimin ilegal Ariel dhe është i rrethuar nga një gardh me tela me gjemba.

Tensioni ka qenë i lartë në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar pas luftës së Izraelit në Rripin e Gazës që filloi tetorin e vitit të kaluar.

Të paktën 822 palestinezë janë vrarë dhe rreth 6.500 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.