Ai ishte një figurë e shquar në jetën intelektuale të Perandorisë Osmane, por shpirtërisht ishte gjithmonë i lidhur me popullin e tij, që donte të krijonte një entitet të veçantë si disa popuj të tjerë ballkanikë. Është fat që te figura e pasur poliedrike e tij, ka aq shumë vlera, sa secili popull ia merr ato që kanë qenë në favor të tij, duke mos ia mohuar ato të tjerat që i merr populli tjetër.
Shkruan: Daut DAUTI, Shkup
Para më shumë se dy dekada SHB “Logos-A” bëri një punë të madhe, duke botuar një komplet veprash të Sami Frashërit, disa prej të cilave përktheheshin për herë të parë në shqip. (Së fundmi e ka shtuar numrin e veprave të botuara nga ky autor). Vetë ky fakt, ai i krijimit të veprave në gjuhën osmanishte dhe përkthimi në gjuhën shqipe, fakt ky që lidhet me rrethanat objektive të veprimtarisë së tij intelektuale, shkencore e qeveritare, atë e bëjnë një personalitet të ndarë midis dy kontinentesh, midis dy popujve, midis dy kulturave.
Gjatë promovimit të atyre veprave të Sami Frashërit, në një varg aktivitetesh në nivel më të lartë (gjer në Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve), pat marrë pjesë si mysafire e veçantë një zonjë nga Stambolli, emrin e së cilës mund dhe ta kemi harruar, e cila ishte krenare që ishte mbesa (apo stërmbesa) e Sami Frashërit. Ajo pothuajse nuk dinte asnjë fjalë shqip, mbahej si një turke krenare me vetëdije, e cila, nga ato që kuptonte se çka flitej për gjyshin e saj, sikur donte të na thoshte (përshtypja e shumëkujt që iu gjet pranë!) “çfarë po bëni bajram me mendjen, Sami Frashëri ka qenë siç jam sot unë, pjesë e shoqërisë turke!”
Kuptohet, ky ishte një “lexim” “i lirë” nga anash i gjuhës së trupit, fytyrës, grimasave, e jo se vërtet zonja kishte këtë mendësi ose se këtë e tha ashtu në ndonjë bisedë a ndeje të atyre ditëve me dikë. Por, e vërteta objektive se trashëgimia biologjike/gjenetike e Sami Frashërit, e mbetur në Stamboll, ka lëshuar rrënjë në shoqërinë turke, ato jo pak vepra që la prapa, pavarësisht se në ç’gjuhë i ka shkruar, me vetëdijen e tij të kulluar kombëtare, mbetet Samiu i shqiptarëve, pa kurrfarë dyshimi, anise jeta dhe vepra e tij në fushën e letërsisë, leksikografisë, gjuhësisë e madje dhe politikës ka lëshuar thellë rrënjë përtej Edrenes.
Edhe yni, edhe i tyre
Kur e përmenda zonjën nga trungu familjar i Sami Frashërit, gati se jam i bindur se ajo në ngjizjen vetëdijësore gjyshin e saj e trajton jo vetëm si “pjesë të shoqërisë turke” në planin e kontributit, por madje dhe me rrënjët gjenetike të tij. Sikur rrënjët të jenë në shekullin 20 ose 21, e jo në shekullin e 19-të dhe në faktet që s’i luan topi për origjinën familjare të Frashërllinjve nga Shqipëria. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë as fakti se Samiu ka qenë me vite qeveritar i Perandorisë Osmane dhe një numër i madh veprash të tij janë tepër të rëndësishme për shoqërinë turke: romani i parë i shkruar turqisht dhe reformat gjuhësore që i vuri themelet e gjuhës moderne turke, që të jetë më e kapshme për masat e gjera, e besa edhe me një pjesë të veprimtarisë politike që çoi në modernizimin ose reformimin e Perandorisë! Dikush madje e konsideron edhe ideolog të nacionalizmit turk! Rrënjët e tij nuk mund t’i kontestojë as qasja “olsijazexhiane” se shqiptarët i ka krijuar Austro-Hungaria, sepse do të dalë se austrohungarezët krijuan një popull të cilit ia dhanë edhe gjuhën edhe historinë, të cilat nuk i ka pasur!
Përshtypja me një ndjesi të supozuar të një trashëgimtare të Sami Frashërit është si të luftosh me mullinj inekzistentë të erës. Prandaj edhe janë vetëm si një ilustrim se në ç’drejtim mund të shpie po të kishte një konflikt real për trashëgiminë e Sami Frashërit midis dy popujve. Ajo që ndoshta ekziston si konflikt është ndoshta midis vetëdijes së trashëgimtarëve të lindur e të rritur në Stamboll, që u janë nënshtruar ligjeve fizike të asimilimit në shoqërinë, e cila, duke pasur politika rigjide që kanë çuar drejt asimilimit, kjo edhe për shkak të largësisë gjeografike, objektivisht te të gjitha brezat e rritur s’ka lënë fort hapësirë për mbijetesë të vetëdijes së të parëve dhe të stërgjyshërve të tyre me rrënjë nga bregdeti Adriatik. Por, e tashmja nuk mund ta shlyejë të kaluarën, e cila në një dhe tjetër plan, gjene, i lidh dy popuj e dy kultura, përmes një emri.
Nëse hyjmë dhe shikojmë në burime turke se si trajtohet Sami Frashëri, nuk duket se ka ndonjë kundërshti midis rrënjëve etnike të tij dhe kontributit që ka dhënë për shoqërinë turke. E trajtojnë si kontribuues në fushën e ngritjes kulturore dhe emancipimit të shoqërisë osmane, diçka madje edhe në drejtim të favorizimit të gjuhës turke në Perandorinë Osmane, madje si “baba i turqishtes moderne” pas reformimit nga osmanishtja (me çka dhe mund të ishte në kundërshtim me veprimtarinë atdhetare si ndër ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjëra tepër të rëndësishme dhe të realizuara në praktikë), por njëkohësisht askush nuk ia mohon që ka qenë ndër ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndoshta i vetmi fakt që mund ta kontestojnë qarqet shkencore turke është autorësia e programit politik “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” nga fakti se në fillim është botuar pa autorësi dhe se autorësia zbulohet pas vdekjes. Ndoshta mohimi i kësaj autorësie mund të ketë për qëllim që, në planin e kontributit politik, më shumë peshorja të heqë nga nacionalizmi turk sesa nga lëvizja kombëtare shqiptare, që në gjithë rrethanat e krijuara në fazën e reformimit të Perandorisë Osmane kishin qëllime të kundërta. Aty diku sigurisht vihet në sprovë lojaliteti i një qeveritari osman me nam (i dekoruar edhe nga Sulltan Abdylhamidi i Dytë) me kontributin e tij konkret në ngjizjen e idesë së lëvizjes kombëtare shqiptare, diç që ka dhe një kontradiktë brenda vetvetes. Kjo gjë dhe mund të mos jetë ndonjë handikap shumë i madh kur të analizohen edhe biografitë edhe të krerëve të tjerë të lëvizjes, të cilët deri në orët e fundit kishin qenë direkt ose indirekt të lidhur me oborrin e sulltanit (Ismail Qemali, Isa Boletini, Bajram Curri, Esat Pashë Toptani dhe shumë pashallarë të tjerë, që u vunë më vonë në pozita të ndryshme në shtetin shqiptar pas 1912-tës).
Në Bosfor me shikim nga mëmëdheu
E gjithë çka u tha më sipër flet për natyrën dualiste të figurës së Sami Frashërit. Sami Frashëri për atë gjysmë shekulli e pak tepër të jetës së tij pati një zhvillimin intelektual si shkrimtar dhe hulumtues shkencor në fusha të ndryshme, duke mos e përjashtuar as atë që për kohën ishte çështje imediate, në lëvrimin e mendimit politik. Ai ishte pjesë e atyre qarqeve intelektuale e atdhetare shqiptare që frymëzoi një lëvizje kombëtare që kërkonte një vend sa më të avancuar brenda Perandorisë Osmane dhe njohjen e identitetit kombëtar shqiptar, ngjashëm me rrugën që kishin ndjekur disa popuj të tjerë, duke filluar nga autonomia. Samiu, bashkë me vëllezërit e tij, Naimin dhe Abdylin, kontribuuan në zhvillimin e kësaj lëvizjeje me ide dhe veprime konkrete. Por, edhe në veprat e tij më të njohura shkencore (siç janë ato ta karakterit enciklopedik), publikut më të gjerë në Perandori ia ka ofruar të vërtetat për kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare, duke u bërë kështu, krahas disa autorëve të huaj austro-gjermanë e të tjerë, ndër të parët shqiptarë që është marrë me origjinën e popullit shqiptar. Ky aspekt i jetës dhe veprimtarisë së tij pasqyron një dashuri të thellë për Shqipërinë dhe një ndjenjë të fortë vetëdijeje, edhe pse jetonte në një periudhë kur Shqipëria ende shtrihej në disa pashallëqe të Perandorisë Osmane.
Përderisa ishte qeveritar i Portës së Lartë, Samiu gjithnjë ka shikuar përtej Detit, duke kujtuar mëmëdheun e tij. Sot, megjithatë, pjesa fizike ka mbetur atje, ndërkaq pjesa shpirtërore vazhdon të bredhë midis Bosforit dhe Adriatikut, me frymën e lirë të përtejkohshme. Me një paradoks, sigurisht të karakterit ndoshta dhe shpirtëror: në varret e tri vëllezërve Frashëri, te kodra e liqenit të Tiranës, të vendosura në vitin 1978 për 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, njëri varr është pa eshtra.
Aty mungojnë eshtrat e vëllait të tretë të renditur me buste, ato të Samiut, sepse ato mbetën atje ku e dorëzoi shpirtin, në Stamboll, dhe sigurisht për shkak të vlerës shpirtërore që kanë për Turqinë, nuk i janë dorëzuar shtetit shqiptar si me rastin e dy vëllezërve të tjerë.
Pa kontestime për Samiun
Në raportet bashkëkohore midis Turqisë dhe shteteve shqiptare ka pasur një lloj kërkese jo aq shembullore nga pala turke në trajtimin e Perandorisë Osmane në librat e historisë. Kështu para nja 13 vjetësh, ministri i atëhershëm turk i Arsimit i kishte kërkuar kolegut kosovar nikoqir që nga librat e historisë të hiqen paragrafët që përmbajnë fyerje për Turqinë dhe personalitetet e saj historike. Në këtë drejtim, madje, ishin formuar dy komisione që do të punonin në drejtim të eliminimit të përmbajtjeve të tilla.
Se si e kanë zhvilluar punën këto komisione dhe efektin e tyre duhet parë librat që janë botuar pas vitit 2011, por sigurisht se nuk kanë pasur vështirësitë e një komisioni tjetër midis dy vendeve ballkanike, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të cilat nuk ka gjasa që për ndonjë kohë optimale do t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet. Në atë komision, pikërisht çështja e origjinës së figurave historike maqedonase e bullgare, siç është kjo e Sami Frashërit midis popullit turk dhe shqiptar, përbëjnë objekt serioz kontestimi të ndërsjellë. Nëse për Sami Frashërin deri tash nuk ka pretendime këmbëngulëse për t’ia ndërruar origjinën, që është një gjë e mirë, në rastin e fqinjëve maqedonas e bullgarë është krejtësisht tjetër, edhe pse aty ndodhi një përafrim rreth figurës së Goce Dellçevit, të cilit iu mor në një farë mënyre ekskluziviteti i deritashëm si hero (vetëm) i popullit maqedonas, por me nderimin e përbashkët në varrin e tij (në Shkup) të delegacioneve shtetërore bullgare e maqedonase, iu pranua pretendimi palës bullgare se ai me rrënjë etnike (mund) të kishte qenë bullgar, porse me veprimtarinë e tij ka kontribuar për Maqedoninë. U la si debat i hapur edhe për figura të tjera që kanë luftuar për shtetin e pavarur të Maqedonisë, porse të kenë qenë njësoj si Dellçevi. Edhe vetë historiografia maqedonase ka kaluar në faza të ndryshme të ngritjes, mohimit ose të rehabilitimit të ndonjë figure. Rasti më i njohur është ai i Todor Aleksandrovit, që deri dje vetë historianët maqedonas e konsideronin bullgar, ndërsa tash disa historianë më të rinj, ndoshta edhe të ndikuar nga politika, e trajtojnë edhe më të madh se vetë Goce Dellçevin.
Në të vërtetë, kontesti që i bën Bullgaria Maqedonisë me pretendimet e këtilla janë më të thella sesa t’ia mohojë origjinën maqedonase akëcilit veprimtar të lëvizjes kombëtare maqedonase, sepse shkojnë te mohimi i gjithë etnitetit. Dhe, kjo reflektohet edhe në rrugën për BE, ku pengesë paraqesin pretendimet bullgar.
Por, as kjo, sado që dëshmitë të flasin ndaj ndonjë të vërtete, nuk mund ta anashkalojnë faktin tjetër që ka figura që në të kaluarën me jetën dhe veprën e tyre të kenë dhënë kontribut për një popull, anise vetë i kanë përkitur një tjetri.
I këtillë pra, siç u tha edhe më sipër, është edhe Sami Frashëri, i cili me dualizmin e vet arrin të japë kontributin e vet intelektual e kombëtar ndaj popullit dhe vendit të tij të origjinës, por dhe që për shkak të lojalitetit ndaj Perandorisë Osmane ka lëshuar rrënjë të thella edhe atje me punën dhe veprat e një rëndësie të madhe.
Mund të jetë për analizë vetë jeta, profili i personalitetit, veprimtaria dhe vetëdija e Sami Frashërit, i cili është sjellë midis dy përkatësive të tij: asaj fizike, si një qeveritar oborri që është dashur të dëshmojë edhe lojalitetin me vepra konkrete, dhe, në anën tjetër, asaj shpirtërore, që nuk ka mundur të shlyhet assesi me kurrfarë gradash, me një vetëdije të thellë kombëtare, që bashkë me vëllezërit e tij, Naimin dhe Abdylin, të jenë ideologë dhe veprimtarë të Rilindjes Kombëtare.
Ky dualizëm në jetën e tij e bën veprimtarinë e tij mes dy botëve, mes dy identiteteve, që shpeshherë ishin të kundërta dhe të papajtueshme. Në një farë mënyre, jeta e tij intelektuale dhe profesionale ishte një balancë mes interesave të tij personale dhe atyre kombëtare.
Është fat që te figura e pasur poliendrike e tij ka aq shumë vlera, sa secili popull ia merr ato që kanë qenë në favor të tij, duke mos ia mohuar ato të tjerat që i merr populli tjetër.