Ballina Sport KOK-u shpërblen ekipin olimpik

KOK-u shpërblen ekipin olimpik

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ka vendosur që edhe këtë herë të shpërblejë sportistët për suksesin dhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Ekipi olimpik i Kosovës, fitoi dy medalje në këtë ngjarje që përfundoi muajin e shkuar, falë xhudisteve Distria Krasniqi e Laura Fazliu.

Krasniqi doli e argjendtë kurse Fazliu e bronztë dhe secila do të shpërblehet me nga 10 mijë euro prej KOK-ut.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka do të shpërblehet me 5 mijë euro, ndërsa xhudisti Akil Gjakova që përfundoi i pesti në kategorinë e tij do të marrë 4 mijë euro.

Nora Gjakova, Loriana Kuka e Donjeta Sadiku që u kualifikuan me normë olimpike do të marrin nga 1 mijë euro, ndërsa pjesëmarrësit me ftesë të univerzalitetit, Hana Beiqi, Adell Shaboviq e Gresa Bakraqi do të shpërblehen me nga 500 euro.

KOK-u, të enjten ka njoftuar se shuma e ndarë në total për këto shpërblime është 33.500 euro.

Exit mobile version