Përcillet nga Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me – se Profeti alejhi selam ka thënë:
“ Nuk falet namaz kur ushqimi është prezent dhe as kur njeriu duhet të kryejë nevojat e tij personale.” Buhariu dhe Muslimi- Shpjegimi
Hadithi bën fjalë për dy gjendje të njeriut, kur ushqimi i tij është prezent dhe ai ka neps e dëshirë për të dhe kur njeriu duhet të kryejë nevojën e tij personale; jashtëqitje ose gazra.
Në këto gjendje është mekruh (e papëlqyer) që të falet namazi edhe nëse i humb namazi me xhemat, ai fillimisht duhet të hajë ushqimin apo të kryejë nevojat e tij personale.
Por dijetarët kanë përmendur kushte përsa i përket ngrënies fillimisht pastaj faljes së namazit:
Të ketë neps apo dëshirë të fortë për ushqimin.
Ushqimi të jetë prezent, pra i shtruar.
Të jetë i mundur realisht dhe fetarisht për ngrënien e tij; realisht: pra ushqimi të mos jetë i nxehtë i pamundur për tu ngrënë dhe fetarisht, pra personi të mos jetë agjërueshëm.
Nëse nuk plotësohen këto kushte atëherë duhet falur fillimisht namazi pastaj të hajë ushqimin. Ndërsa përsa i përket gjendjes së dytë, pra për të kryer nevojën personale, në mënyrë që njeriu të falet tërësisht i përqëndruar dhe të mos ketë asnjë shqetësim apo pengesë që e ndalon nga përqëndrimi në namaz./Mesazhi/