Para komunizmit, forma e shtetit shqiptar, e sanksionuar në kushtetutë (neni 1/ 1928), ishte “mbretëri demokratike parlamentare dhe trashëgueshme”, ndërsa mbreti u projektua, po në kushtetutë (neni 50/1928), si “mbreti i shqiptarvet” dhe jo i Shqipërisë ose Mbretërisë Shqiptare. Ky përcaktim përcillte, mendoj unë, një mesazh për aspiratën kombëtare. Komunistët e fshinë nga kujtesa çështjen e kombëtare, madje ata bashkëpunuan ngushtë me armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare.
Çelo HOXHA, Tiranë
Mund të diskutojmë gjerë e gjatë për dëmin që komunizmi i shkaktoi shoqërisë shqiptare, në të dyja anët e kufirit dhe çështjes kombëtare shqiptare, zgjidhjen e së cilës e vonoi ndoshta me disa dekada. Mund ta vëmë gishtin te egoizimi i elitave politike, të cilat ishin të dhëna më shumë pas pushtetit personal e pak ose aspak u shqetësuan për zgjidhjen e çështjes kombëtare etj. Megjithatë, pavarësisht se çfarë bënë një grup njerëzish, elitë ose jo, realiteti është se, pavarësisht pengesave, çështja kombëtare përparoi deri sa mbërritëm te krijimi i një shteti të dytë shqiptar.
Ky përparim, i realizuar pavarësisht vështirësive të panumërta, tregon fuqinë e një shoqërie që ndjek thirrjen e tij të brendshme, të cilën e kthen fillimisht në ide, mbi të cilën ndërton një vizion, të cilin e shndërron në program politik dhe mandej e zbaton me durim. Kjo ishte aspirata e Kosovës për pavarësi dhe politika paqësore e ndjekur për realizimin e saj.
Me dy shtete shqiptare në Ballkan tashmë, shqiptarët, për mendimin tim, gjenden në momentin e tyre më mirë në histori dhe, në vend të ankohen për të shkuarën apo të tashmen, duhet të projektojnë të ardhmen dhe të punojnë me këmbëngulje për realizimin e saj.
Përgjegjësia kryesore për vizionin politik të shoqërive bie mbi elitat kulturore të tyre. Politikanët nuk janë burimi i ideve. Ata janë instrumente njerëzore, të cilët zbatojnë idetë dhe vizionin e elitave kulturore. Politikanët janë vija e parë e veprimit e një realiteti të krijuar me kontributin e një mase më të madhe individësh dhe grupimesh të ndryshme shoqërore.
Më shumë se këdo, komunizmi e dëmtoi elitën kulturore të Shqipërisë. Për gjysmë shekulli, në Shqipëri u kultivua servivilizmi, elita kulturore u kthye në papagall që përsëriste veç slogane politike, të cilat i prodhonte një klasë politike sterile. Para komunizmit, forma e shtetit shqiptar, e sanksionuar në kushtetutë (neni 1/ 1928), ishte “mbretëri demokratike parlamentare dhe trashëgueshme”, ndërsa mbreti u projektua, po në kushtetutë (neni 50/1928), si “mbreti i shqiptarvet” dhe jo i Shqipërisë ose Mbretërisë Shqiptare. Ky përcaktim përcillte, mendoj unë, një mesazh për aspiratën kombëtare. Komunistët e fshinë nga kujtesa çështjen e kombëtare, madje ata bashkëpunuan ngushtë me armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare. Megjithatë, më 1998, kur regjimi komunist kishte rënë tashmë, në Shqipëri u miratua një kushtetutë në preambulën e së cilës u përmend (dhe është në fuqi) “aspirata shekullore e popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Fakti që në pushtet ishin pasardhësit e komunistëve, nën kujdesin e të cilëve u hartua kushtetuta, tregon, dhe një herë, fuqinë e aspiratës kombëtare. Duke vepruar në kushte lirie më të madhe se paraardhësit e tyre, brezi i dytë i komunistëve e kuptoi se nuk të vazhdonte më duke injoruar çështjen kombëtare.
Elita intelektuale, institucionet që supozohen se janë qendra të specializuara të mendimit në shoqërinë shqiptare, janë treguar më të ngurta se politika në mbrojtjen e trashëgimisë së komunizmit. Ato vazhdojnë të mbrojnë me rreptësi vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, me të cilat e goditën rëndë çështje kombëtare, duke e përjashtuar në masë të madhe gegnishten nga gjuha standarde shqipe. Me përjashtimin e gegnishtes nga ligjërimi u godit elementi thelbësor i identitetit shqiptar, gjuha shqipe. Kjo politikë kriminale e institucioneve shkencore të Shqipërisë vazhdon të mbrohet edhe sot, kur akademikët kërkojnë të censurohen ata që flasin për gjuhën shqipe pa lejen e tyre. Po nuk u bashkua gjuha, nuk bashkohet as mendimi dhe kështu realizohen planet e kundërshtarëve të bashkimit kombëtar shqiptar.
Me krijimin e dy shteteve shqiptare në fqinjësi me njëri-tjetrin, tema e bashkimit kombëtar nuk mund të jetë më një tabu, të paktën jo për elitën kulturore. Politikanët operojnë në një terren më të vështirë dhe ndoshta nuk mund të shfaqen me retorikë të zhveshur, por filozofët, sociologët, politologët, historianët, ekonomistët etj., mund ta diskutojnë hapur, pa kufizime, çështjen e bashkimit kombëtar. Ata mund të zhvillojnë konferenca dhe të dalin me propozime konkrete, të cilat mund t’i shërbejnë politikës për të krijuar programe specifike.
Tani që Kosova është shtet i pavarur, diskutimi i çështjes së bashkimit të saj me Shqipërinë nuk përbën një çështje problematike sikur mund të bënte ndërkohë, kur ishte pjesë e një shteti tjetër. Në një rast të tillë, veç Shqipërisë dhe Kosovës, pjesë e diskutimit do të ishte dhe pala e tretë, që mund të shpie në debate të padëshiruara, por në gjendjen që janë gjërat çështja e bashkimit kombëtar nuk duhet të jetë një tabu.
Dy shtete të pavarura, siç janë Shqipëria e Kosova, mund të vendosin të kenë mes tyre çdo lloj marrëdhëniesh që ato e shikojnë të arsyeshme, përfshirë edhe bashkimin në një entitet të vetëm shtetëror, nëse gjithçka ndodh në mënyrë paqësore dhe është shprehje e vullnetit të popujve përkatës. Një gjë e tillë mund të realizohej përmes referendumit popullor në të dy vendet. Madje, referendumi mund të ishte nismë e entiteteve joshtetërore, duke e shkarkuar politikën nga çdo përgjegjësi përballë institucioneve ndërkombëtare.
Specialistët duhet të kishin trajtuar tashmë përfitimet e palëve nga bashkimi kombëtar, që debati të ishte më i informuar. Sidoqoftë, disa gjëra nuk kërkojnë ndonjë specializim të thelluar për t’u kuptuar. Me bashkimin e të shteteve do të shtoheshin burimet njerëzore dhe burimet e tjera, duke e kthyer Shqipërinë (besoj se ky emër do t’i mbetej shtetit unik shqiptar) në një forcë relevante në rajon, thuajse të barabartë me shtetet e tjera, duke i rregulluar balancat gjeostrategjike në një rajon që ka qenë problematik për një kohë të gjatë.