Kofsha pule me salcë speci të kuq

Për këtë recetë këshillohet të përdoret pjesa e kofshës së pulës, pasi mishi i bardhë i gjoksit mund të thahen ose të gatuhen më tepër nga ç’duhet.

Përbërësit: 4 kofsha pule, 2 qepë të vogla, 2 lugë gjelle paprika e ëmbël, 1-2 domate, 1-2 speca të verdhë (jo djegës), 200 ml kos i trashë, 1 lugë gjelle miell dhe 3 lugë gjelle vaj ulliri.

Përgatitja: Kaurdisim me vaj ulliri qepën e prerë hollë derisa të marrë një ngjyrë transparente. E heqim nga zjarri tiganin. Shtojmë paprikën e ëmbël dhe pak ujë. E trazojmë sa të krijohet një masë homogjene.  Rivendosim tiganin në zjarr të ulët dhe shtojmë sipas radhës kofshët e pulës, domatet dhe specat e prerë hollë dhe i kaurdisim me zjarr të ulët. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper. Nëse është nevoja shtojmë pak ujë, aq sa të mos digjet pula. Mbyllim kapakun dhe e lëmë derisa pula të jetë zbutur plotësisht. Heqim kofshët nga salca. Në një tas përziejmë kosin e trashë me miellin. Marrim pak nga gjella e tiganit dhe e shtojmë në tas. Më pas gjithë masën e hedhim në tigan. E trazojmë mirë në zjarr të ulët për 3-4 minuta. Shtojmë kofshët e pulës dhe i trazojmë. Ju bëftë mirë!

Kjo recetë u përgatit nga Kokopisha