Për Bashkimin Evropian, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nuk ka lidhje me ultimatume, por me zbatimin e marrëveshjeve, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Maja Kociançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së.
“Dialogu të cilin po e lehtëson Bashkimi Evropian nuk ka lidhje me ultimatume, dhe se bëhet fjalë për atë se Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për kushtet sipas të cilave Kosova do të fitojë kodin e vet telefonik, kurse kompania serbe ka fituar licencën e plotë dhe juridiksion të përkohshëm për ven dosjen e rrjetit mobil”, ka thënë Kociançiq.
Bashkimi Evropian, ka nënvizuar Kociançiq, mbështetet në marrëveshjen për telekomunikacion dhe planin e veprimit për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar lidhur me modalitetet e zbatimit.
“Për ne është e rëndësishme të zbatohet marrëveshja e arritur në dialog”, ka thënë Kocijançiq.
E pyetur rreth deklaratave të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë,Marko Gjuriq se Prishtina dhe Beogradi kanë një afat që deri në fund të javës të arrijnë marrëveshje, Kociançiq, ka përsëritur se “në dialog nuk bëhet fjalë për ultimatume, por për zbatim të marrëveshjeve”.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se në periudhën në vazhdim do të merret vendimi për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomin, duke theksuar se për Serbinë ky do të jetë një vendim i vështirë, por ka nënvizuar se nuk bëhet fjalë për ultimatum, siç e kishte definuar zyrtari nga qeveria e tij, Marko Gjuriq.
Vuçiq ka thënë se kontestuese mbetet çështja e pronësisë së sistemit të telekomunikacionit, duke nënvizuar se propozimi për të cilin Serbia duhet të vendosë është rezultat i negociatave disa vjeçare në Bruksel.
“Nëse ne nuk e pranojmë, nuk do të na mundësohet hapja e kapitullit (kapitulli 35 të kushteve të Bashkimit Evropian të vendosura për integrimin e Serbisë), sepse këto janë kushtet politike që janë të lidhura gjithmonë me Kosovën dhe situatën në rajon”, ka theksuar kryeministri serb.
“Kjo nuk është kurrfarë fshehtësie për askënd në Serbi. Nëse ne nuk e pranojnë do të ballafaqohemi me pasoja shumë të rënda politike, dhe se njerëzit në Serbi duhet të dinë këtë”, ka deklaruar Vuçiq.
Këto konstatime, Vuçiq i ka nxjerrë pas bisedimeve pesë ditore në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit për kodin telefonik të Kosovës.
Përfaqësuesi serb në këto bisedime, Marko Gjuriq madje kishte paralajmëruar tërheqjen e tij nga funksioni nëse Serbia do ta pranonte një marrëveshje të tillë.
Gjuriq kishte deklaruar se Serbisë i ishte vënë një ultimatum i vështirë pasi që, siç kishte thënë ai, po i kërkohet që të heq dorë “nga pasuria e Telekomit të Serbisë në Kosovë”.
Në rast se Serbia nuk i zbaton obligimet që ka marrë në dialogun me Kosovën në Bruksel, analistë në Beograd parashohin pasoja për këtë vend në planin e integrimeve evropiane.
Analisti Nenad Gjurgjeviq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk shënohet përparim në negociatat me Prishtinën, sidomos në çështjen e telekomunikacionit dhe Kombinatit “Trepça”, Serbia nuk do të mund të shpresojë në vlerësime pozitive nga ana e BE-së në raportin që do të lansohet në muajin tetor.
Gjurgjeviq ka theksuar po ashtu se është më se e qartë që bisedimet por telekomunikacionin dhe disa çështje tjera që ndërlidhen me marrëveshjet e Brukselit kanë mbetur të pazbatuara, gjë që flet për krizën në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. /REL/