Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nuk është arritur marrëveshja për tabelat e veturave.
“Po bisedohet për këtë, por janë të nevojshme përpjekje dhe bisedime shtesë”, ka thënë Kocijançiq.
Një ditë më herët, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri kishte deklaruar se në bisedimet me Beogradin është arritur marrëveshja për reciprocitetet në lidhje me tabelat e veturave, sipas modelit të Greqisë dhe Maqedonisë, që nënkupton vendosjen e tabelave ngjitëse mbi ato ekzistuese për veturat që qarkullojnë nga Kosova drejt Serbisë dhe anasjelltas.