Koalicioni s’ka mundësi të prishet

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti ka bërë me dije se koalicioni qeverisës LDK-PDK është stabil dhe nuk do të prishet.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ai është shprehur i bindur se buxheti nuk do ta rrezikojë apo ta vë në pikëpyetje të ardhmen e koalicionit qeverisës.

Ahmeti ka thënë se pakënaqësitë e individëve të caktuar brenda subjekteve politike rreth prishjes së koalicionit nuk janë reflektim i qëndrimeve të partnerëve të këtij koalicioni.

Duke e komentuar kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Ahmeti ka thënë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por, sipas tij, palët duhet të reflektojnë në raport me interesin e shtetit.

Ai ka paralajmëruar se procesi i riformatimit të Qeverisë do të ndodhë gjatë këtyre ditëve, megjithatë është skeptikë se me ndërrimin e disa ministrave do të mund të ketë rezultat në mirëqenien e qytetarëve.