Koalicioni qeverisës gjerman premton ndryshime radikale

Gjermania është gati të përballet me ndryshime të mëdha nën qeverinë e saj të ardhshme të qendrës së majtë, premtoi Olaf Scholz teksa prezantoi marrëveshjen e koalicionit të krijuar, ku ai do të jetë kancelar.

“Ne jemi të bashkuar në vullnetin për ta përmirësuar këtë vend”, deklaroi Scholz për social-demokratët e SPD dhe partnerët e tyre, të gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP).

Ai ka premtuar të ndjekë “politikë me ndikim të lartë” që do ta zhvendosin vendin majtas, nëse baza i jep bekimin e saj marrëveshjes gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Scholz, i cili ishte ministër i Financave dhe zëvendëskancelar në koalicionin e madh të Angela Merkelit në largim, do ta zëvendësojë atë në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës.

Koalicioni planifikon gjithashtu të rrisë pagën minimale në Gjermani në 12 euro (13,50 dollarë) në orë nga 9,60 euro aktuale, një premtim kryesor i fushatës zgjedhore të SPD-së.

Scholz tha se kjo do të thotë një rritje pagash për 10 milionë qytetarë.

Për sa i përket veprimit të klimës, tre palët duan të sjellin përpara datën e synuar për heqjen graduale të industrisë gjermane të qymyrit nga 2038 në “idealisht” në vitin 2030.

Objektivi është që deri në atë datë të fuqizohet 80 për qind e rrjetit kombëtar me energji të rinovueshme duke tejkaluar objektivin aktual prej 65 për qind deri në vitin 2030.

Të gjelbrit, të bashkëdrejtuar nga Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, u desh të hiqnin dorë nga premtimi i fushatës për një kufizim shpejtësie në autostradat gjermane gjatë negociatave, një hap që partia e tyre e konsideron të nevojshëm për të reduktuar emetimet e vendit.

Por, shumë gjermanë kanë një lidhje të fortë sentimentale me aftësinë për të ngarë shpejt në autostradat e tyre.

Gjithashtu, sipas planit të partisë, do të ulet edhe mosha ligjore e votimit nga 18 në 16 vjeç.

Për sa i përket çështjes së migracionit, palët kanë rënë dakord të heqin një kufi maksimal për numrin e personave që mund të sillen në Gjermani si pjesë e një programi për ribashkimin e refugjatëve me anëtarët e familjes. /atsh