Koalicioni ndërkombëtar për luftimin e grupit terrorist Shteti Islamik (IS) lëshoi një deklaratë përmes së cilës zotohet se do të punojë për të eliminuar grupin, në veçanti, duke vënë në shënjestër degën e tij në Afganistan që mori përgjegjësinë për sulmin me raketa në aeroportin e Kabulit.
Pjesë e koalicionit kundër IS-it është edhe Kosova, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende tjera.
“Ne do të përdorim të gjitha mjetet përfshirë ato ushtarake, të inteligjencës, diplomatike, ekonomike dhe të zbatimit të ligjit – për të siguruar humbjen e kësaj organizate brutale terroriste”, tha koalicioni në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Në deklaratë thuhet se vendet “do të angazhohen në identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të anëtarëve të grupit”.
“Koalicioni dhe partnerët e tij vazhdojnë të qëndrojnë krah për krah, siç bëmë kur luftuam për t arritur humbjen e Daesh/ISIS në Irak dhe Siri. Daesh/ISIS mbetet një armik i vendosur dhe ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të siguruar humbjen e tij”, thuhet në deklaratën e koalicionit.
Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës, derisa trupat amerikane përgatiten të tërhiqen nga Afganistani.
Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.
Grupi militant Shteti Islamik tha se merr përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave.
Nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan, pasi banorët lokalë raportuan për rënien e disa copave në rrugë.
Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan, që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.
Sulmi me dron u krye dy ditë pasi një sulm vetëvrasës i Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.
Pentagoni tha më pas se ushtria amerikane ka kryer një sulm hakmarrës me dron në provincën lindore të Afganistanit Nangarhar, duke vrarë dy anëtarë të grupit Shteti Islamik Khorasan.
Shumica e mijëra anëtarëve të këtij grupi besohet se fshihen në këtë provincë, që ndodhet në lindje të Kabulit.
IS dhe talibanët janë grupe rivale. Në bazë të një marrëveshjeje mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të arritur në fillim të vitit 2020, për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, pas 20 vjetësh të operacioneve atje, talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga grupet terroriste. /rel