Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtave e të lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me listat e veteranëve të luftës.
Ai, përmes një kumtese, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që t’i spastrojnë listat e veteranëve të luftës, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit për fryrjen e këtyre listave të vihen para drejtësisë.
Kjo është kumtesa e KMLDNJ-së:
Verifikimi i listave të veteranëve të luftës ishte një proces i stërzgjatur, i ngarkuar me parregullësi dhe për pasojë bëri që Kosova të radhitet si vendet ndër më të militarizuarat në vitet 1997 e deri te përfundimi i verifikimit të listave. Afërsisht 47.000 veteranë me status të njohur dhe të tjerët që presin njohjen e këtij statusi e bënë që numri i veteranëve të luftës të kalojë shifrën 70.000 veteranë që më shumë është në fushën e fantastikës shkencore se realitetit.
Veteranët e luftës që vërtetë ishin veteranë asnjëherë nuk dolën në radhët e para për statusin e tyre por mashtruesit e konvertuar, brenda ditës apo natës në veteranë ishin ata që i bënë listat nga të cilat turpërohet çdo ushtar i UÇK – së, përkrahës i tyre, mbështetës i luftës së UÇK – së apo edhe çdo qytetar që mendon me kokë të vetën dhe që ia donë të mirën këtij vendi.
Kjo listë është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës dhe kjo listë është kërcënim për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Kosovës. Kjo listë nuk është dashur të pranohet asnjëherë, përkundër shantazheve dhe kërcënimeve me protesta, që , në të shumtën e rasteve ishin të orkestruara nga persona të papërgjegjshëm, të pandërgjegjshëm që kontribuuan në hartimin e këtyre listave.
Pati kërkesa që të bëhen hetime për këto lista, të caktohet përgjegjësia për mashtruesit dhe të sigurohet një trajtim i dinjitetshëm për veteranët e vërtetë që kontribuuan për lirinë e Kosovës e të cilët nuk po trajtohen as për së afërmi si duhet dhe në përputhje me sakrificën që e bënë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut e përkrahë fuqishëm çdo nismë për rishikimin e këtyre listave që do ta bëjë Qeveria e Kosovës përmes një komisioni tjetër i cili do të bënte verifikimin e listave në mënyrë të paanshme, me profesionalizëm, të mbështetur në fakte pas së cilave do të kishim një listë e cila, vështirë se do ta kalonte numrin e 20.000 veteranëve. Po të mos ishin këto lista manipulative dhe korruptive, do të krijoheshin mundësitë që veteranët e dëshmuar duke e fituar statusin e merituar të trajtohen në mënyrë shumë dinjitoze e jo të trajtohen si kategori sociale.
Për t’u sqaruar gjërat KMDLNj propozon të merren parasysh praktikat e mira si ato të Kroacisë, ku veteranët trajtohen si vlerë kombëtare, morale dhe shtetërore e jo si kategori sociale.
Mënyra më e mirë e dhënies së kontributit për caktimin e listave objektive të veteranëve të luftës është bërja e tyre publike në bazë të komunave pas së cilave lehtësisht do të identifikohen përfituesit mashtrues të statusit të veteranit sikur edhe i atyre që ua mundësuan këtë status. Pastaj, mosha është me rëndësi të madhe për pastrimin e listave sikur edhe sqarimi i raportit nepotist (familjar) midis atyre që përfituan statusin e veteranit dhe anëtarëve të komisionit. Kemi raste kur “ komandantët “ i kanë futur në lista të gjithë anëtarët e familjes ( vëllezër , motra , nipër dhe mbesa , teze dhe halla etj.) Lehtësisht është e identifikueshme nënshkrimi i atij që e rekomandoi dikë për këtë status të pamerituar dhe kjo nënkupton edhe përgjegjësi konkrete.
Nga statusi i veteranit të luftës duhet të përjashtohen ata që dezertuan, ata që nuk morën pjesë aktive ( me armë ) në luftë dhe ata që e ndihmuan luftën me mjete materiale apo që e fituan statusin e veteranit të luftës duke kënduar e që pastaj këtë këndim e materializuan duke shitur CD apo duke organizuar koncerte para bashkatdhetarëve tanë. Atyre që kontribuuan pa qenë pjesë e strukturave të armatosura, shteti duhet t’u ndajë mirënjohje apo falënderime dhe kurrsesi t’ua njoh statusin e veteranit të luftës.
Për manipuluesit e listave përgjegjësia morale është e panjohur si kategori e nderit prandaj duhet t’u nënshtrohen përgjegjësisë ligjore dhe në këtë drejtim KMDLNj , fuqishëm e përkrahë përpjekjen e kësaj apo qeverisë së ardhshme për normalizimin e listave të veteranëve të luftës që seriozisht po e dëmtojnë buxhetin e Kosovës duke e rrezikuar edhe vet statusin e veteranëve të vërtetë të luftës së UÇK – së.