Klerikët francezë abuzuan 216,000 fëmijë qysh më 1950

Rreth 216,000 fëmijë, shumica djem, janë abuzuar seksualisht nga klerikët e Kishës Katolike Franceze qysh në vitin 1950, bëri të ditur një raport i ri hetues.

Kreu i hetimeve tha se bëhet fjalë për së paku 2,900 deri në 3,200 abuzues, ndërsa akuzoi Kishën për “indiferencë mizore ndaj viktimave”.

Hetimi i pavarur u porosit nga Kisha Katolike Franceze në vitin 2018.

U deshën më shumë se dy vjet e gjysmë për të kontrolluar të dhënat e gjykatës, policisë dhe Kishës dhe për të folur me viktimat dhe dëshmitarët.

Shumica e rasteve të përfshira në raport, mendohet se janë shumë të vjetra për t’u ndjekur penalisht sipas ligjit francez.

Raporti prej gati 2,500 faqesh thotë se “shumica dërrmuese” e viktimave ishin djem dhe “shumë prej tyre të moshës 10 deri në 13 vjeç”.

Sipas raportit, Kisha, jo vetëm që nuk ka arritur ta parandalojë abuzimin, por gjithashtu nuk ka arritur ta raportojë atë.

“Ka pasur neglizhencë, heshtje, mbulim institucional”, u tha gazetarëve kreu i hetimeve, Jean-Marc Sauve.

Sipas tij, deri në fillim të viteve 2000, Kisha ka treguar “indiferencë të thellë, totale dhe madje mizore” ndaj viktimave.

Kisha Franceze ka shpallur më herët një plan për “ndihmë financiare” për viktimat, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Këtë vit, Papa Françesku ka ndryshuar ligjet e Kishës Katolike Romake, duke kriminalizuar në mënyrë eksplicite abuzimin seksual. /rel