Me sa duket, Sami Frashëri është keqkuptuar dhe ai u detyrua të shkruante një artikull të dytë, të cilin Kristo Frashëri e ka ribotuar të plotë, ku ai e bën të qartë pozicionin e tij kundër ideve socialiste. Me Sami Frashërin, në këtë rast, ka ndodhur pak a shumë ajo që ndodhi me Branko Merxhanin në vitet e ’30-ta. Është i njohur artikulli i tij “Pse nuk jam marksist”, por pak i dinë shkaqet pse u shkrua ai artikull.
Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë
Më 9 janar 2013, publikova një artikull polemik me Kristo Frashërin, i cili ishte një analizë e rolit të Frashërit si historian e propagandist i regjimit komunist (gazeta Standard). Disa paragrafë të artikullit i kushtohen përpjekjes së autorit për ta klasifikuar Sami Frashërin si një mendimtar të majtë. Po e risjell të plotë këtë pjesë të artikullit, për të sjellë pa ndryshime dhe qëndrimin tim ndaj figurës së Sami Frashërit, megjithëse është një qëndrim i shprehur kalimthi, si argument në një polemikë dhe jo rrjedhojë e një studimi të plotë të veprës së Sami Frashërit.
“Në vitin 2006, Kristo Frashëri botoi librin ‘Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941’, me të cilën është përpjekur ta integrojë veprimtarinë e PKSH-së si një zhvillim të natyrshëm në historinë e Shqipërisë dhe jo si kancer i futur në gjakun e saj nga jugosllavët. Ai kritikon si ‘panegjiristët e dikurshëm’, ‘të cilët për dekada me radhë kanë propaganduar se PKSH-në e themeluan komunistët shqiptarë të udhëhequr nga Enver Hoxha’, ashtu edhe ‘kundërshtarët e saj, të cilët nuk u njohin asnjë meritë komunistëve shqiptarë, por ngulin këmbë që PKSH-në e formoi Partia Komuniste e Jugosllavisë’. Ai vetë hiqet sikur nuk ka qenë pjesë e ‘panegjirikëve të dikurshëm’”.
Nga njëra anë Kristo Frashëri kritikon punën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe nga ana tjetër vazhdon punën e tij të lënë në mes për shkak të rënies së regjimit komunist. Instituti shkroi një histori që e konsideronte krijimin e PKSH-së si meritë të Enver Hoxhës; Kristo Frashëri ka shkruar një histori që e paraqet krijimin e Shqipërisë si meritë të të majtëve. “E majta”, e përdorur prej tij, është një eufemizëm për “komunistët”.
Kristo Frashëri shkon deri aty sa konsideron përfaqësues të së majtës Sami Frashërin. Sipas tij, rilindësi shqiptar kishte “një konsideratë të madhe për idetë socialiste”. Ai i referohet për këtë një artikulli të Sami Frashërit, duke shkëputur prej tij disa citime që në tekst nuk kanë rolin që u jep Kristo Frashëri. Artikulli i Sami Frashërit, i botuar i plotë në fund të librit “Historia e të majtës…”, është një lloj shpjegimi për konceptet socializëm dhe pronë e përbashkët. Ajo që mund të thuhet për bindjet e autorit, duke e bazuar në këtë artikull, është se ai tregohet tolerant për diskutimin e ideve socialiste, por jo se është pro tyre. Me logjikën e Kristo Frashërit, të gjithë shqiptarët janë komunistë, sepse ata tolerojnë ekzistencën e partive komuniste dhe diskutimin e ideve të tyre. Sami Frashëri ka shkruar një traktat politik për Shqipërinë, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, dhe në të s’ka asnjë rresht socializmi. Madje, aty ka tregues për një formim konservator (d.m.th. të djathtë) të tij, për sa i përket rolit të qeverisë në jetën e qytetarëve: “M’i lumtur i vëndevet në botët ësht’ ay tek ndjehetë fort pak dor’e qeverisë. Sa të mundetë, qeverija të mos ketë të bënjë drejt për drejt me vëndeset (organet lokale)” (kapitulli: Katundaritë). Në fakt, Sami Frashëri mund të konsiderohet më shumë një mendimtar parademokratik, në traktatin e tij nuk flitet fare për partitë politike.
Me sa duket, Sami Frashëri është keqkuptuar dhe ai u detyrua të shkruante një artikull të dytë, të cilin Kristo Frashëri e ka ribotuar të plotë, ku bën të qartë pozicionin e tij kundër ideve socialiste. Me Sami Frashërin në këtë rast ka ndodhur pak a shumë ajo që ndodhi me Branko Merxhanin në vitet ‘30. Është i njohur artikulli i tij “Pse nuk jam marksist”, por pak i dinë shkaqet pse u shkrua ai artikull. Rrethanat janë këto: nga shërbimi i fshehtë i mbretit, Branko Merxhani dyshohej si komunist dhe emri i tij i pari në listën e komunistëve të Tiranës (Standard, 14 qershor 2012). Ka shumë mundësi që ai e ka shkruar artikullin e falshëm, pasi i është bërë i njohur në njëfarë mënyre mendimi i shërbimit sekret.
Në rastin e Sami Frashërit nuk kemi informacion shtesë, veç dy artikujve. Në rastin e Branko Merxhanit kemi gjithë jetën e tij: ai u largua nga Shqipëria dhe nuk u kthye më kurrë, pavarësisht se në pushtet erdhën komunistët e pavarësisht se shërbimi sekret i mbretërisë e llogariste për komunist.
Kristo Frashëri shkon deri aty në marrëzinë e tij, sa përgojon si socialist edhe Faik Konicën, i cili ka një veprimtari të qartë antikomuniste.
Këtu mbaron citimi nga polemika ime me Kristo Frashërin, i cili nuk ka qenë i vetmi që e ka klasifikuar Sami Frashërin si të majtë. Në librin “Samiu dhe Utopia” (2024), Enis Sulstarova ka evidentuar disa autorë të periudhës së regjimit komunist, të cilët kanë bërë të njëjtën gjë. Sulstarova shkruan: “Lidhur me simpatinë që Samiu ka shprehur për socializimin, Kristo Frashëri nuk ka bërë tjetër veçse ka përsëritur vëzhgimin që gjendet në një nga studimet e para mbi mendimin politiko-shoqëror të Samiut, me autor Esat Reson dhe të botuar më 1962… Reso, Zija Xholi (1987) dhe studiues të tjerë në Shqipëri gjatë komunizmit e cilësojnë Samiun si një patriot iluminist e përparimtar, që ishte kundër obskurantizmit fetar dhe absolutizmit politik.”
Megjithatë, shqetësimi kryesor i Sulstarovës duket se është tendenca e klasifikimit të Samiut si konservator, sepse tentativat e komunistëve për ta përvetësuar kanë dështuar. Ai shikon si rrezik në këtë aspekt krijimin e Institutit “Sami Frashëri”, një organizatë joqeveritare, që në perceptimin e tij është konservator. Referuar misionit të institutit: “Ai mban emrin Sami Frashëri, një shkrimtar rilindas, poliglot dhe aktivist shoqëror. Fokusi kryesor i organizatës është promovimi i qeverisjes demokratike, pjesëmarrjes civile, llogaridhënies qeverisëse, sundimit të ligjit dhe të drejtat e njeriut përmes pjesëmarrjes civile, kërkimit shkencor, arsimit dhe publikimeve.”
Asgjë konservatore nuk ka, as në përkufizimin e misionit, as të Samiut. Me arsyetime të ndryshime, Sulstarova dhe unë biem dakord që Sami Frashëri nuk duhet përfshirë në kategorizime ideologjike, me mendësinë e një shoqërie pluraliste, demokratike, etj. Vepra e famshme e Samiut, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është, dhe ç’do të bëhetë” është një vepër themelore e nacionalizmit shqiptar, por vetë Samiu ishte nacionalist shqiptar aq sa ishte Marksi një marksist, i cili pati mundësinë të shprehej për një gjë të tillë dhe deklaroi se nuk ishte. Në kohën që shkroi veprën e famshme (1899), Samiu e kishte të qartë se konstrukti shtetëror osman është drejt shkatërrimit të pashmangshëm. Ai shkruan: “Tyrqia as munt të ronjë paskëtaj, as do të ronjë, edhe as duhetë të ronjë. Shqipëtarëtë po që të duanë të mos ndahenë nga Tyrqia, duhetë të humbasinë bashkë me të. Ky është një njeri i vdekurë; sado ta duamë të vdekurinë, duhet ta vëmë në dhet; të duamë të mos ndahemi soje, është si të duamë të hyjmë në varrt me të bashkë.”
Ky paragraf mendoj se e shpjegon thelbin e angazhimit të Samiut për ta shkruar veprën. Ai e shikon popullin e tij në rrezik dhe i ofron një zgjidhje. Ai nuk është mendimtari që përpunon teza, ide e doktrina në kohën e lirë; ai është një mendimtar me mision, që shkruan duke vepruar, si një zjarrfikës, i cili pikas katastrofën te zjarri në të cilin të tjerët ngrohen dhe lëshohet si shigjetë për t’i shpëtuar.
Për ata që presin një përgjigje të prerë për përkatësinë ideologjike të Samiut, një gjë e tillë as nuk duhet tentuar. Ai, së bashku me rilindasit e tjerë, janë themeluesit kombësisë shqiptare, ose, siç quhet ndryshe, nacionalizimit. Ata nuk duhet të nxirren nga ky përkufizim.
Shënim: Njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga ndryshimi i qëndrimeve të caktuara. Nuk duhet të tregohen të ngurtë për arsye ideologjike, doktrinare etj. Ne mund të kemi një mendim të caktuar për dikë, në një situatë të caktuar, por ky mendim duhet të jetë i ndryshueshëm në varësi të informacioneve në dispozicion. Personalisht nuk e kam problem ta korrigjoj veten kur më prezantohet informacioni i ri, i cili e vë në dyshim qëndrimin tim të mëparshëm. /revistashenja