Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim princin Sultan bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud të Arabisë Saudite, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë theksohet se Meta vuri në dukje se kjo vizitë dëshmon për vëmendjen që autoritetet saudite i kushtojnë forcimit të marrëdhënieve me Shqipërinë.
“Duke vlerësuar marrëdhëniet historikisht miqësore mes dy popujve tanë, kryetari i Kuvendit, Meta, nënvizoi se Kuvendi i Shqipërisë ka vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin ndërparlamentar me Arabinë Saudite, në funksion të rritjes së shkëmbimeve ekonomike, tregtare dhe të investimeve saudite në Shqipëri e rajon”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Më tej theksohet se princi Sultan bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud, pasi vlerësoi mikpritjen shqiptare, vuri në dukje se vizita e tij lidhet me eksplorimin e mundësive për forcimin e bashkëpunimit konkret mes dy vendeve në të ardhmen. Në këtë drejtim, ripërsëriti ftesën për vizitën zyrtare të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Arabinë Saudite.
Princi saudit ka realizuar takime edhe me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Kryeministrin Edi Rama.