Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka paralajmëruar se oqeanet janë duke u përballur me kërcënim të madh si asnjëherë më parë dhe se nëse nuk ndërmerren hapa, atëherë në vitin 2050 në oqeane do të ketë më shumë mbeturina plastike sesa peshq, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë deklaratë Guterres e ka bërë në “Konferencën Botërore të Oqeanit” që këtë vit organizohet për herë të parë nën patronazhin e zyrës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, që ka për qëllim të mbështesë Iniciativën për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030.
Guterres ka thënë se ndotja, peshkimi ekstrem dhe ndryshimet klimatike i kanë shkaktuar dëme serioze oqeaneve, të cilat, sipas tij, tani ndodhen në rrezik të madh si asnjëherë më parë. “Mbroni oqeanet, në mënyrë që ta parandaloni katastrofën globale”, ka thënë Guterres adresuar shteteve anëtare.
Sipas tij, “mbrojtja e oqeaneve dhe përdorimi i qëndrueshëm i tyre do të thotë mbrojtje e vetë jetës”.
Duke folur për të dhënat e hulumtimit të fundit mbi oqeanet, Guterres ka shtuar se ky punim ka treguar “që nëse nuk ndërmerren hapa për mbrojtjen e oqeaneve, atëherë në vitin 2050 në oqeane do mund të ketë më shumë mbeturina plastike sesa peshq”.
Edhe kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Peter Thomson, ka thënë se ka ardhur koha që të përmirësohet rruga e gabuar përmes së cilës është shtjelluar çështja e ndotjes së oqeaneve.
“Ne kemi lëshuar mbi oqean një fatkeqësi plastike që dëmton në mënyrë shumë tragjike natyrën”, ka potencuar Thomson.
Ndryshe, Konferenca Botërorë e Oqeanit ka si temë mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të oqeaneve, detrave dhe burimeve detare, ndërsa në të marrin pjesë krerë, ministra, diplomatë dhe aktivistë të mjedisit nga afërsisht 200 shtete.