Elefantët njihen për madhësinë dhe forcën e tyre, por turistët që shëtisin hipur mbi shpinën e tyre shkaktojnë një dëm të madh, siç shihet në këtë foto të shpërndarë nga një grup i shpëtimit të kafshëve të egra në Tajlandë.
Elefanti në foto është Pai Lin, një femër 71 vjeçe, shpina e së cilës është deformuar pas 25 vjetësh punë në industrinë e turizmit ku detyrohej të mbante deri në 6 turistë mbi kurriz.
“Shpina e Pai Lin ka ende shenja nga pikat e vjetra të presionit. Ky presion i vazhdueshëm në trupat e elefantëve, mund të dëmtojë indet dhe kockat në shpinën e tyre, duke shkaktuar dëmtime fizike të parikuperueshme”.
Shëtitjet me elefant janë një veprimtari e përhapur turistike në Azinë Juglindore, por aktivistët shprehen se është një formë e mizorisë ndaj kafshëve sepse trupat e tyre nuk janë krijuar për të mbajtur pesha të rënda. Ata shprehen se këto kafshë abuzohen shpesh në industrinë e ecjeve në terrene të vështira dhe mbajtjes së druve dhe shumë prej tyre ngordhin nga kequshqyerja dhe rraskapitja.
“Shpina e tyre e ka drejtimin për lart. Presioni i vazhdueshëm në shtyllën kurrizore nga turistët mund të rezultojë në dëmtim fizik të përjetshëm, çka mund të shihet te Pai Lin”, u shpreh drejtuesi i grupit.
Pai Lin po jeton së bashku me 24 elefantë të tjerë të shpëtuar në rezervatin Wildlife Friends Foundation në një qytet bregdetar rreth 2 orë e gjysmë larg Bangkokut