Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kjo është thirrja e Jusuf el-Karadavi për muslimanët Rohingya

Kjo është thirrja e Jusuf el-Karadavi për muslimanët Rohingya

Kryetari i Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Jusuf el-Karadavi, iu ka bërë thirrje botës islame dhe vendeve arabe për të kaluar në veprim kundër masakrave të kryera ndaj muslimanëve të Arakanit – Rohingya.

Në një deklaratë me shkrim Karadavi është shprehur se “Iu bëj thirrje vendeve arabe dhe islame të cilët përpara Allahut do të jenë përgjegjës për vëllezërit në Arakan, ku atyre do t’iu kërkohet llogari nga Allahu për shkak të këtij pasiviteti. Vendet islame nëse dëshirojnë mund të kryejnë presion ekonomik dhe politik duke përdorur marrëdhëniet ndërkombëtare ndaj qeverisë mizore të Mianmarit.”

“Kemi vërejtur se disa pakica të tjera duke gjetur interesa tek shtetet e mëdha kanë detyruar qeverinë e Mianmarit që të arrijë një dakordim me ata. Feja jonë, Islami, edhe duke luftuar së bashku me ato na urdhëron që të ndihmojmë vëllezërit tanë për të eliminuar persekutimet dhe sulmet”, është shprehur Karadavi, duke iu bërë thirrje vendeve islame që të ndalin këtë masakër.

Lëvdata për qëndrimin e Turqisë

Duke shprehur lëvdata për qëndrimin e Turqisë për muslimanët Rohingya, Karadavi tha se “përshëndes diplomacinë aktive dhe rolin e rëndësishëm që ka kryer Turqia dhe presidenti i saj, Recep Tayyip Erdoğan.”

Pasi ka rikujtuar vizitën e kryer në Bangladesh të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Emine Erdoğan, bashkëshortes së Presidentit Erdoğan dhe të delegacionit që i shoqëronte për muslimanët e Arakanit të strehuar atje, Karadavi ka vënë në dukje rëndësinë e këtyre punimeve për të lehtësuar dhimbjet dhe plagët e muslimanëve Rohingya.

Ndër të tjera Karadavi ka kritikuar qëndrimin e vendeve arabe dhe ka theksuar se mosmarrëveshjet mes tyre dhe të qenurit të zënë me tema të parëndësishme ka mbajtur larg vendet arabe nga përgjegjësia e tyre për vëllezërit e tyre muslimanë.

Në sulmet të cilat ushtria e Mianmarit i nisi më 25 gusht në rajonin e Arakanit me arsyetimin e “luftës kundër militantëve të armatosur” deri më tani kanë humbur jetën një numër i madh i muslimanëve të Arakanit. Më shumë se 60 fshatra janë djegur si dhe dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të largohen nga rajoni për shkak se nuk kanë siguri për jetën.

Për shkak se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare në rajon numri i të vrarëve nuk mund të përcaktohet saktësisht. Organizatat e shoqërisë civile kanë deklaruar se ka tejkaluar mbi 1.000 numri i civilëve që kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjera kanë pretenduar se kjo shifër është me mijëra.

Exit mobile version