Sot është bërë tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve për kryetar të komunës së Podujevës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ ) ka bërë tërheqjen e shortit, për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës.
Kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari do të ketë me numrin 11, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi do të ketë numrin 12, ndërsa kandidati i PDK-së, Naim Fetahu numrin 10.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se institucioni që drejton ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për zgjedhjet në Podujevë.
Daka iu bëri thirrje të gjithë kandidatëve dhe subjekteve politike që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të respektojnë kushtetutën dhe rregullat e KQZ-së.
“KQZ deri më tani në vazhdën e përgatitjes e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës ka kryer pothuajse të gjitha aktivitetet. Unë i ftoj të gjithë kandidatët dhe subjektet të cilët janë pjesë e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës të respektojnë kushtetutën, të respektojnë ligjet në fuqi dhe rregulloren e KQZ-së dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë në zhvillimin e demokracisë dhe në zgjedhjet në komunën e Podujevës”, u shpreh Daka.
Ndryshe, fushata për zgjedhjet në Podujevë do të fillojë me 3 mars dhe do të zgjasë deri me 13 mars, kurse zgjedhjet do të mbahen me 15 mars.