Qyteti i Bilbaos në Spanjën veriore po kthehet në portën hyrëse për emigrantët që duan të shkojnë në Britani.
Sipas një reportazhi të rrjetit BBC, emigrantë nga Shqipëria, Afganistani po fillojnë të krijojnë kampe në Bilbao, pasi policia spanjolle është e vetëdijshme për këtë rrugë të re dhe ndalon një numër të madh grupesh që ndërmarrin udhëtimin e vështirë për një jetë më të mirë në Britani, transmeton oranws.
Duket se qyteti po kthehet në një portë hyrëse për një numër gjithnjë e më të madh emigrantësh që kërkojnë të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Reporteri i BBC për Europën, Gavin Lee thotë se policia ndalon rreth tre herë në ditë, grupe të mëdha emigrantësh të cilët transportohen përmes kamionëve në tragetet që udhëtojnë nga Bilbao në Portsmuth. Kjo është një pamje që krahasohet me Kalenë, qytetin francez të njohur për kampin famëkeq të emigrantëve që tashmë është shkatërruar.
Një 15-vjeçar afgan i cili vjen nga Kaleja, pas qëndrimit për 1 vit atje tregon se është kapur nga policia por kjo nuk do ta ndalojë të provojë sërish.
Edhe drejtuesit e kamionëve tashmë janë të vetëdijshëm për këtë rrugë të re që emigrantët po përdorin.
Një shofer kamioni thotë se Bilbao është Kaleja e re dhe tashmë të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm e të kontrollojnë dy herë për të parë nëse ndonjë emigrant ia ka dalë të futet në mjetet që ata drejtojnë.
300 metra nga porti i Bilbaos janë vendosur së fundmi një sërë tendash.
Sipas autoriteteve spanjolle, në këtë vend jetojnë 70 persona, shumica e tyre nga Shqipëria.
Shqiptarët thonë se duan të shkojnë në Britani për të fituar më shumë para. Sipas tyre, rruga e Bilbaos është e vështirë, por jo e pamundur.
“Disa persona ia dolën të mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, jo më larg se një javë më parë” thotë një shqiptar.
Në përgjigje të situatës, autoritetet spanjolle kanë shtuar kontrollet e policisë si dhe kanë zhvilluar takime me zyrtarët kufitarë britanikë për të diskutuar mbi çështjen.