Kjo është përqindja e daljes së qytetarëve në votim deri në ora 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar rezultatet e daljes në votim deri në ora 15:00.

Në komunën e Podujevës dhe në veri të Mitrovicës, procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme deri në ora 15:00 ka shkuar pa asnjë incident apo parregullsi.Kështu ka deklaruar kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në konferencë për medie në lidhje me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto dy komuna, raporton lajmi.net.

“Procesi zgjedhor në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut është duke u zhvilluar në atmosferë të qetë dhe të kënaqshme. Deri më tani, nuk kemi pranuar informacione për ndonjë parregullsi dhe se procesi i votimit është duke vijuar normalisht”, ka deklaruar Daka.Sipas saj, deri në ora 15:00 në Komunën e Podujevës kanë votuar 26 mijë qytetarë apo 29.76 për qind. Kurse në pjesën veriore të Mitrovicës kanë votuar 30.3 për qind e qytetarëve apo 7 mijë e 62 votues.

“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 15:00 kanë votuar 29.76% e votuesve apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 26 mijë e 37 votues apo 31%. Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 15:00 kanë votuar 30.3% e votuesve apo 7 mijë e 62 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 6 mijë e 275 votues apo 29%”, tregoi Daka.Ajo bëri të ditur se konferenca e katërt për ditën e sotme është në orën 19:30 dhe ka të bëjë me të gjithë ecurinë e procesit të votimit si dhe pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.