Kishat në Kuds dënuan sulmet brutale të ushtrisë izraelite ndaj palestinezëve në Gaza të cilët prisnin për ndihma që rezultuan me vdekjen e 127 civilëve më 29 shkurt dhe 3 mars, transmeton Anadolu.
“Megjithëse zëdhënësit e qeverisë izraelite fillimisht u përpoqën të mohonin përfshirjen e ushtarëve në këtë incident, më vonë atë ditë, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir jo vetëm që lavdëroi ushtarët për sjelljen e tyre të shkëlqyer, por u përpoq të fajësonte njerëzit që u vranë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët me shkrim nga kishat e themeluara në Kuds.
Në deklaratë kujtohet se Ben-Gvir bëri thirrje për ndalimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza dhe vazhdimin e sulmeve dhe theksohet se kjo thirrje e Ben-Gvir është bërë një situatë e dhimbshme për banorët e mbetur në Rripin e Gazës ku hyrja e ndihmave pothuajse ka ndaluar.
Më tej theksohet se organizatat ndërkombëtare të ndihmës kishin paralajmëruar për urinë në Gaza dhe se disa vende kishin hedhur ndihma humanitare nga ajri, por se kjo ndihmë ishte shumë më e ulët se sa duhej.
“Pas ngjarjeve të tmerrshme që u ndodhën atyre që përpiqeshin të merrnin ndihma humanitare në Gaza dhe kontekstit brutal të këtyre ngjarjeve, ne patriarkët dhe krerët e kishave në Kuds, dënojmë këtë sulm brutal ndaj civilëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratë.
Më 29 shkurt, ushtria izraelite shënjestroi palestinezët që prisnin për ndihma humanitare në qytetin e Gazës duke bombarduar dhe hapur zjarr, ku në sulm u vranë 118 palestinezë ndërsa 760 u plagosën.
Qeveria në Gaza tha se sulmi i Izraelit ndaj atyre që prisnin për ndihma humanitare ishte “i qëllimshëm dhe i planifikuar”. “Ushtria pushtuese e dinte që këta njerëz erdhën në rajon për të marrë ndihmë humanitare, por i vrau me gjakftohtësi”, thuhet në deklaratë.
Ministri i Sigurisë Kombëtare të ekstremit të djathtë të Izraelit, Ben-Gvir deklaroi mbështetjen e tij për ushtarët izraelitë që hapën zjarr ndaj palestinezëve që prisnin të merrnin ndihma humanitare në Rripin e Gazës, dhe i përshkroi ata si “heronj”.
Gjithashtu më 3 mars në qytetin Deyr al-Belah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, një automjet që transportonte ndihma humanitare u vu në shënjestër të Izraelit dhe sipas gjetjeve fillestare, nga sulmi u vranë 9 palestinezë ndërsa shumë të tjerë u plagosën.