Kirurgët përsëri në grevë, thonë se 600 euro janë ofendim për ta

Mjekët e Kirurgjisë Abdominale, Plastike dhe atë të Fëmijëve në QKUK kanë hyrë sot në një grevë një ditëshe duke kërkuar paga më të larta

Kirurgët e QKUK-së i janë rikthyer sot kërkesave për rritje të pagave nëpërmjet një greve një ditëshe. Mjekët nuk kanë punuar në ambulancat specialistike si dhe nuk i kanë kryer operacionet elektive. Dhuna e mjekëve ndaj njëri-tjetrit, si ndodhi përplasja ndërmjet Gashit dhe Sejdiut

Dr. Bedri Braha, kirurg abdominal, thotë se i kanë paralajmëruar 2 javë më herët kryeministrin Ramush Haradinaj, ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe drejtorin e SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. Ai ka shtuar se kjo grevë është vetëm paralajmëruese për datën 18 qershor kur do të vazhdojë më gjatë deri në përmbushjen e kërkesave.

“Qëllimi jon është vetëdijesimi i opinionit për pagat denigruese që i marrim ne. Poashtu është një koeficient i padrejtë prej 2.7 ku një përgjegjës i morgut që e hap e mbyll derën e ka 2.6. Edhe rangimi aktual nuk na paraqet drejt në raport me vitet e shkollimit dhe sakrificën që e kemi në vendin e punës si dhe rrezikun e volumin e madh”, deklaron Braha.

Kirurgët kanë hyrë në grevë disa ditëshe edhe në fillim të këtij viti me kërkesat e njëjta për rritje të pagave, pagesën e rrezikshmërisë në punë si dhe mentorimit të studentëve. Braha deklaron se këto kërkesa nuk janë plotësuar, ndonëse premtimi ka qenë që do të realizoheshin në qershor. Ai thotë se ministri Ismaili ka shprehur gatishmërinë për t’i ndihmuar, por sipas Brahës ai nuk ka bërë asgjë më shumë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të QKUK-së, Xhemajl Selmani, ka thënë se greva nuk është organizuar nga Sindikata, por kërkesat e këshillit grevist janë të drejta dhe i përkrahin. “Sigurisht që çdo kërkesë për mirëqenien e personelit mjekësor ne e përkrahim”, ka thënë ai.

Selmani ka deklaruar se drejtori i SHSKUK-së dhe ministri i patën premtuar Federatës së Sindikatave se rritja e pagave do të bëhet me rishikimin e buxhetit në qershor. Ai thotë se nëse kjo gjë nuk ndodhë atëherë do të ndërmarrin veprime sindikale. Në anën tjetër Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së thotë se Grupet Punuese janë duke punuar në rishikimin e Ligjit të Pagave, ku pritet të ndryshohet koeficienti për punëtorët shëndetësorë.