Numri i të vdekurve në Kirgistan nga përleshjet kufitare me Taxhikistanin u rrit në 36, me 129 të tjerë të plagosur, tha sot Ministria e Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
12 trupa të tjerë u sollën në objektet mjekësore në rajonin Batken, i cili kufizohet me Taxhikistanin dhe ku forcat e ish-republikave sovjetike u përleshën për një mosmarrëveshje kufitare. Numri i mëparshëm i të vdekurve ishte 24.
Ndërkohë, Taxhikistani nuk ka dhënë ndonjë numër zyrtar të viktimave, por shtypi lokal raporton për të paktën 39 të vdekur.
Përleshjet kufitare nisën të mërkurën, ndërsa të dyja palët ranë dakord më vonë për një armëpushim. Gjersa kishte akuza për shkelje të marrëveshjes nga të dyja palët, Kirgistani shpalli gjendje të jashtëzakonshme në rajonin Batken të premten vonë.
Kirgistani ka njoftuar se rreth 136.000 banorë janë evakuuar gjithashtu nga fshatrat afër Taxhikistanit.
Në një deklaratë të shtunën, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, i bëri thirrje udhëheqjes së të dy vendeve që të angazhohen në dialog për një armëpushim të qëndrueshëm.
“Të dyja palët duhet të përfitojnë plotësisht nga mekanizmat ekzistues në terren për të zbutur tensionet”, tha Dujarric.