Kinë. Shkon në 2.120 numri i viktimave nga epidemia COVID-19

Komisioni Kombëtar i Shëndetit të Kinës (NHC) njoftoi të enjten se numri i vdekjeve në vend nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit, tani zyrtarisht i njohur si COVID-19, është rritur në 2.120.

Zyrtarët kinezë të shëndetësisë theksuan se është rritur në 74.576 numri i rasteve të konfirmuara, 11.864 prej të cilëve në gjendje serioze, ndërkohë që 115 persona kanë vdekur në 24 orët e fundit nga virusi.

NHC-ja theksoi gjithashtu se në 24 orët e fundit janë konfirmuar 394 raste të reja me COVID-19 dhe se kjo është shifra më e ulët në bazë ditore që prej datës 23 janar e këtej.

Koronavirusi i ri, shfaqur për herë të parë më 12 dhjetor në qytetin Wuhan të provincës qendrore Hubei të Kinës, u përhap brenda një kohe të shkurtër në qytete të tjera të vendit dhe në më shumë se 20 shtete të tjera, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singaporin, Francën, Italinë, Rusinë, Spanjën dhe Indinë.

Pas këtij zhvillimi, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli epideminë në fjalë një emergjencë ndërkombëtare.