Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina zgjat pushimin e lehonisë për të rritur numrin e lindjeve

Kina zgjat pushimin e lehonisë për të rritur numrin e lindjeve

Disa rajone të Kinës kanë vendosur të japin të paktën 30 ditë pushim shtesë të lehonisë, në mënyrë që të inkurajojnë lindjet në një vend që po përballet me plakjen e popullsisë dhe uljen e numrit të punëtorëve.

Autoritetet po lejojnë të gjithë kinezët të kenë tre fëmijë këtë vit. Ata shpresojnë të ringjallin shkallën e lindjeve, e cila ra në nivelin më të ulët në më shumë se 40 vjet vitin e kaluar.

Qeveria komunale e Pekinit njoftoi se gratë tani do të mund të marrin 158 ditë pushim lehonie, 30 më shumë se më parë.

Autoritetet në Shangai, qyteti më i populluar i vendit (25 milionë banorë), kanë njoftuar masa të ngjashme.

Në provincën bregdetare të Zhejiang (lindje), nënat e një fëmije të dytë ose të tretë do të përfitojnë nga leja e lehonisë prej 188 ditësh, ose më shumë se 26 javë, deklaroi agjencia zyrtare e lajmeve China New. /atsh

Exit mobile version