Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina: SHBA-ja nuk duhet të “krijojë probleme të reja” në Afganistan

Kina: SHBA-ja nuk duhet të “krijojë probleme të reja” në Afganistan

Wang Yi

Kina i ka kërkuar SHBA-së të shmang krijimin e më shumë problemeve dhe të luajë një “rol konstruktiv” në të ardhmen e Afganistanit pas “ndikimit të rëndë negativ” të tërheqjes kaotike të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, këshilltari dhe kryediplomati kinez, Wang Yi, në një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, tha se “tërheqja e nxituar e SHBA-së nga Afganistani ka shkaktuar një ndikim të rëndë negativ në situatën në Afganistan dhe nuk do të ishte e përgjegjshme nëse vazhdon të krijojë probleme të reja”.

Më tej, thuhet se Wang theksoi se përpjekjet për të përdorur “fuqinë dhe mjetet ushtarake për të zgjidhur problemet do të shkaktojnë vetëm më shumë probleme”. Ai theksoi se mësimet e tilla meritojnë reflektim serioz.

Duke përsëritur qëndrimin e Pekinit mbi Afganistanin, ai tha se “faktet edhe një herë kanë vërtetuar se është e vështirë të fitosh një terren në një vend me një histori, kulturë dhe kushte kombëtare krejtësisht të ndryshme duke injoruar mekanikisht modelet e huaja”.

Wang tha se Kina mbetet e gatshme të angazhohet me SHBA-në “për të nxitur një zbritje të butë të çështjes afgane, në mënyrë që në Afganistan të parandalohet një luftë e re civile ose fatkeqësi humanitare dhe vendi të mos kthehet në një vatër dhe strehë për terrorizmin”.

“Kina inkurajon Afganistanin të krijojë një kuadër politik të hapur dhe gjithëpërfshirës në përputhje me situatat e saj kombëtare”, thuhet në njoftimin e ministrisë kineze.

Talebanët u hoqën nga pushteti pasi forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-ja pushtuan Afganistanin në vitin 2001.

Pas përparimit të shpejt ushtarak në qendrat provinciale të vendit, grupi të dielën mori kontrollin e kryeqytetit Kabul dhe tani është në procesin e krijimit të një qeverie. /aa

Exit mobile version