Kina gjatë tre muajve të fundit ka regjistruar 13 marka tregtare të vajzës së presidentit të SHBA-ve Donald Trump, Ivanka Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të Zyrës për Regjistrimin e Markave të Kinës, Ivanka Trump gjatë tre muajve të fundit ka marrë aprovim për regjistrim të produkteve me markë si batanije për foshnje, arkivol, parfum, produkte të kozmetikës, pasqyre dhe mobilie, libra, kafe, çokollatë dhe mjaltë.
Asaj i është dhënë regjistrimi i përkohshëm i markës tregtare për 8 produkte. Në qoftë se nuk kundërshtohen regjistrimet në fjalë brenda tre muajve, atëherë ato do të shndërrohen në regjistrime të përhershme.
Vajza e presidentit Trump në Kinë aktualisht ka 36 marka aktive të regjistruara si dhe aplikime për 25 marka të cilat presin përgjigje.
Përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare për Etikë dhe Përgjegjësi me qendër në Washington, Noah Bookbinder kritikoi mosqëndrimin larg aktiviteteve tregtare të Ivanka Trump, duke marrë parasysh ndikimin e saj në Shtëpinë e Bardhë dhe aktivitetin e saj në kontaktet e jashtme të presidentit.
“Kjo gjendje mund të shkaktojë probleme serioze në çështjen e korrupsionit. Mundësia që ajo mund të ketë përfitime financiare duke përdorur pozicionin e saj që lidhet me pozitën e babait, ose të ndikimit në proceset e vendimmarjes së trajtimit për markat e veta në vendet tjera shkakton pikëpyetje”, thotë Bookbinder.
Ivanka Trump edhe pse nuk merr pjesë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe aktive në menaxhimin e markave, vazhdon të marrë përqindje nga pjesa e fitimeve në shitje.