Kina tha se kundërshton fuqimisht listimin e disa kompanive nga SHBA-ja si “kompani ushtarake kineze”, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të agjencisë Xinhua, Ministria kineze e Tregtisë ka bërë një deklaratë me shkrim në lidhje me listën e publikuar nga SHBA-ja. Në deklaratë thuhet se Kina kundërshton me forcë që Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) ka listuar disa kompani si “kompani ushtarake kineze”.
“SHBA-ja ka përgjithësuar konceptin e sigurisë së saj kombëtare duke shpërfillur rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). SHBA-ja ka keqpërdorur fuqinë e saj shtetërore dhe ka zbatuar presion në mënyrë të padrejtë ndaj bizneseve kineze duke bërë akuza të pabaza kundër strategjisë së integrimit ushtarako-civil të Kinës”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se kjo lëvizje e SHBA-së prish seriozisht rendin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar dhe minon stabilitetin e industrisë globale dhe zinxhirët e furnizimit.
Kina i bën thirrje SHBA-së që të respektojë rregullat, të ndalojë menjëherë praktikat e gabuara dhe t’i trajtojë kompanitë kineze me drejtësi. “Pekini do të monitorojë nga afër situatën dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze”, thuhet në deklaratë.
Në një deklaratë të publikuar dje nga Departamenti i Mbrojtjes së SHBA-së, disa kompani përfshirë kompanitë kineze të teknologjisë Tencent dhe CATL, u renditën si “kompani ushtarake kineze”. Që të dy kompanitë e cilësuan këtë përshkrim si një “gabim”.