Studimi tregon se sa më i lidhur financiarisht të bëhet një komb me Kinën dhe sa më e lartë të jetë pjesa e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga investimet kineze, “aq më e lartë është edhe mundësia” që Kina të shfrytëzojë problemet me sundimin e ligjit në këtë vend, për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe politik.
Një studim i ri ka gjetur një lidhje midis hyrjes së kapitalit kinez në një vend dhe ndikimit negativ në cilësinë e tij të qeverisjes, shkruan Reid Standish për RadioFreeEurope.
Studimi, i publikuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë me seli në Bullgari, thotë se ndikimi në rritje i Pekinit në Europën Qendrore dhe Lindore në dekadën e fundit, ka përkuar me një rënie të standardeve ligjore dhe të qeverisjes në këto vende. Ai ka ngritur shqetësime edhe në lidhje me rritjen e niveleve të borxhit në rajon.
Raporti është studimi i parë madhor në lidhje me zgjerimin e pranisë së Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore. Rritja e ndikimit të Kinës ka ardhur si pasojë e fluksit prej rreth 14 miliardë dollarësh në grante, hua dhe koncesione ekonomike që nga viti 2009 dhe rreth 50 miliardë dollarë në infrastrukturë, energji dhe projekte telekomunikacioni, që janë aktualisht në proces ose po presin miratimin.
Studimi tregon se sa më i lidhur financiarisht të bëhet një komb me Kinën dhe sa më e lartë të jetë pjesa e Prodhimit të Brendshëm Bruto nga investimet kineze, “aq më e lartë është edhe mundësia” që Kina të shfrytëzojë problemet me sundimin e ligjit në këtë vend, për të zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe politik.
“Është një cikël vicioz ku vendet autoritare si Kina, përfitojnë nga boshllëqet ligjore dhe praktikat korruptive për të zgjeruar ndikimin e tyre në terren”, tha Martin Vladimirov, një nga autorët e raportit, i cili drejton programin e Qendrës për Studimin e Demokracisë për energjinë dhe klimën. “Të dhënat tregojnë një korrelacion shumë të fortë midis fluksit të parasë kineze dhe rënies së cilësisë në qeverisje”.
Kjo lidhje matet nëpërmjet Indeksit të Fuqisë Ekonomike Kineze, i cili synon të tregojë fushën e plotë të ndikimit ekonomik të Kinës. Rritja rajonale ka qenë e pabarabartë, dhe pjesa më e madhe e ndikimit të Pekinit është përqendruar në Republikën Çeke, Hungari dhe Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi.
Sipas zbulimeve të raportit, Bosnjë-Hercegovina, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia, kanë përjetuar rëniet më të dukshme në kategoritë e mësipërme, për shkak të rritjes së investimeve kineze, ku kompanitë e mbështetura nga Pekini kanë përfituar përjashtime nga taksat, kanë anashkaluar ligjet vendore të punës dhe kanë marrë forma të tjera të trajtimit preferencial.
Studimi shton se veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, “kompanitë lokale me lidhje të ngushta me qeveritë kanë lobuar drejtpërdrejt për zbatimin e projekteve kineze”.
“Të gjitha këto aktivitete janë teknikisht të ligjshme”, tha Vladimirov. “Efekti i përgjithshëm është që institucionet qeveritare nuk i vëzhgojnë më kompanitë kineze dhe këto institucione nuk i shërbejnë më interesit publik, por ndihmojnë interesat private”.
Prania e Kinës në Europën Qendrore dhe Lindore është mjaft e madhe, veçanërisht në Ballkan, ku vendi ka investuar me miliarda vitet e fundit dhe si pasojë, janë ngritur shqetësime në qarqet e politikave perëndimore në lidhje me varësinë financiare të rajonit nga Pekini.
Serbia, ku Beogradi ka funksionuar si një qendër ekonomike dhe politike për zgjerimin e Pekinit në Ballkanin Perëndimor, është një shembull i dukshëm i kësaj dukurie dhe ky vend vazhdon të shërbejë si një vitrinë për nisma të ndryshme kineze – nga telekomunikacioni dhe teknologjitë mbikëqyrëse, deri te shëndeti publik.
Kohët e fundit, shumë projekte kineze janë vënë në qendër të vëmendjes nga polemikat mbi kontratat jotransparente dhe akuzat për korrupsion gjatë procesit të tenderit.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, është përballur me protesta dhe presion politik pasi u zbulua se qeveria e tij kishte në plan të merrte një hua prej 1.5 miliardë dollarësh nga një bankë kineze për të ndërtuar një kampus lokal për Universitetin Fudan të Shangait.
Një projekt i vonuar prej 1 miliard dollarësh për autostradën në Malin e Zi gjithashtu ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare dhe ka nxitur debatin mbi ndikimin kinez në Europë, pasi kombi i vogël ballkanik deklaroi se nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhin ndaj Bankës së Kinës.
Në fund, Podgorica mori ndihmë borxhi nga një sërë institucionesh amerikane dhe europiane për të ndihmuar në stabilizimin e financave dhe për të shlyer detyrimet e huasë. “Europa Qendrore dhe Lindore kanë qenë një prapavijë shumë efektive për bizneset kineze, në synimin e tyre për t’u zgjeruar në të gjithë Europën dhe Bashkimin Europian”, tha Vladimirov. “Është pjesë e një strategjie afatgjatë”. /monitor