Kina po e blen ndikimin politik në Evropën Qendrore dhe Lindore

Një raport i ri i Qendrës për Studimin e Demokracisë me bazë në Bullgari thotë se vendet ku ka pasur hyrje të kapitalit kinez është vërejtur ndikim negativ në mjedis dhe cilësinë e qeverisjes.

Në raportin e publikuar më 9 shtator thuhet se investimet në rritje të ekonomisë kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore, gjatë dekadës së fundit, kanë rezultuar edhe me rënie të standardeve të qeverisjes, si dhe kanë ngritur shqetësime në lidhje me mjedisin dhe rritjen e nivelit të borxhit.

Ky është studimi i parë i gjerë sa i takon pranisë në rritje të Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Pekini është shndërruar në partnerin më të madh tregtar në rajon.

Ky rol i Kinës u mundësia pasi që nga viti 2009 ka investuar 14 miliardë dollarë përmes granteve, huave dhe pjesëmarrjes në koncesione ekonomike, ndërsa rreth 50 miliardë të tjera në projekte të infrastrukturës, energjisë dhe telekomunikacionit. Disa prej këtyre projekteve ende janë në proces të realizimit ose presin zbatimin.

Sipas hulumtimit, sa më i lidhur financiarisht të jetë me Kinën një vend dhe sa më e lartë të jetë pjesa e Bruto Produktit të Brendshëm (GDP) nga investimet kineze, atëherë aq më e lartë do të jetë mundësia që Kina ta shfrytëzojë këtë për të zgjeruar “ndikimin ekonomik dhe politik të saj”.
“Vendet autoritare siç është Kina, përfitojnë nga zbrazëtitë ligjore për të bërë praktika korruptive dhe për të zgjeruar ndikimin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Martin Vladimirov, një nga autorët e raportit njëherësh drejtues i programit për energjinë dhe klimën në Qendrën për Studimin e Demokracisë.

“Këto rrjete lejojnë hyrjen e një sasie më të madhe të kapitalit, dhe kjo pastaj rezulton me një rënie edhe më të madhe të cilësisë së qeverisjes”, thotë ai.

Pjesa më e madhe e ndikimit të Pekinit është fokusuar në Hungari, Çeki dhe Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

Sipas raportit, vendet që kanë pësuar më së shumti në rënien e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e nivelit të borxhit janë Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia.

Kompanitë e mbështetura nga Pekini në këto vende, sipas raportit, kanë përfituar përjashtime tatimore, aftësinë për të anashkaluar legjislacionin vendor të punës dhe forma tjera të trajtimit favorizues.

Studimi shton se veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, “kompanitë lokale që kanë lidhje të ngushta me qeveritë kanë lobuar drejtpërdrejt për zbatimin e projekteve kineze”. Shumë prej këtyre bizneseve të nxitura nga interesi tregtar veprojnë si një “urë lidhëse midis Kinës dhe qeverive vendore”.

“Teknikisht, të gjitha këto aktivitete janë legale”, thotë Vladimirov.

Por, sipas tij, efekti i tyre qëndron në faktin se institucionet qeveritare nuk mund të rregullojnë veprimtarinë e kompanive kineze dhe roli i tyre si shërbyes të interesit publik bie. Në vend të kësaj, këto institucione ndihmojnë interesat private apo oligarkët lokalë.
Prania e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore është e madhe, veçanërisht në Ballkan.

Pekini ka investuar miliarda dollarë vitet e fundit. Në Perëndim është rritur shqetësimi për mundësinë e rënies së rajonit nën varësinë financiare të Pekinit.

Një shembull i kësaj është Serbia e cila ka shërbyer për Kinën si një qendër ekonomike dhe politike për shtrirje në Ballkanin Perëndimor, thuhet në raport.

Ky vend ka shërbyer si një vitrinë për iniciativa të ndryshme kineze, përfshirë telekomunikacionin, teknologjinë e mbikqyrjes të shëndetit publik gjatë pandemisë, e cila mbase mund të miratohet edhe nga vendet tjera.

Në gjithë rajonin ka shumë projekte kineze që janë vënë në qendër të kritikave për kontrata jotransparente dhe akuza për korrupsion gjatë procesit të tenderimit.

Në Hungari ka pasur protesta kundër kryeministrit hungarez, Viktor Orban, pasi u zbulua se qeveria e tij kishte në plan të merrte një hua prej 1.5 miliard dollarësh nga një bankë kineze për të ndërtuar një kampus lokal për Universitetin Fudan të Shangait. Presioni politik ndaj Orbanit kundër kësaj nisme erdhi edhe nga kryetari i Budapestit.
Një projekt për ndërtimin e autostradës në vlerë prej 1 miliard dollarësh në Mal të Zi u vendos në qendër të debatit për ndikimin kinez në Evropë.

Mali i Zi pati njoftuar se nuk do të ishte në gjendje të paguante borxhin e tij ndaj Bankës Export-Import të Kinës.

Përveç çështjes së borgjit ky projekt u kritikua edhe për koston që kishte.

Përfundimisht, Podgorica mori ndihmë borxhi nga një sërë institucionesh amerikane dhe evropiane për të ndihmuar në stabilizimin e financave të saj dhe për të përmbushur pagesat e huasë.

“Evropa Qendrore dhe Lindore kanë qenë një prapavijë shumë efektive për bizneset kineze në mënyrë që të zgjerohen më pas në të gjithë Evropën dhe Bashkimin Evropian”, thotë Vladimirov.
“Kjo është pjesë e një strategjie afatgjatë”, shton ai.

Shqetësimet për mjedisin
Sipas raportit, rritja ekonomike e Kinës ka rezultuar edhe me rritje të përdorimit të thëngjillit për të prodhuar energji elektrike në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Pasojë e kësaj është edhe ulja e standardeve mjedisore për projektet në të gjithë rajonin.

Përveç shqetësimeve për borxhet, autostrada e diskutueshme e Malit të Zi ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes së aktivistëve për dëmet mjedisore për shkak të ndërtimeve në lumin Tara, që është nën mbrojtjen e UNESCO-s (Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara.

Ankesa dhe protesta për ndotjen e mjedisit ka pasur edhe për dëmin mjedisor të shkaktuar nga një minierë bakri në pronësi kineze pranë qytetit serb të Borit. Kundërshtimet e detyruan kompaninë të ndalojë përkohësisht operacionet e saj.
Krahas këtyre, vendeve të Ballkanit Perëndimor mund t’iu dalin pengesa edhe në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian për shkak të rritjes së emetimit të karbonit.

Blloku evropian ka shpallur planet ambicioze për të hequr gradualisht përdorimin e qymyrit gjatë dekadës së ardhshme si dhe synimet për të zvogëluar emetimet e karbonit.

“Kina nuk po përpiqet të ndalojë anëtarësimin e vendeve në BE, por ligjet dhe politikat që po miratohen për të lehtësuar investimet kineze minojnë indirekt procesin e pranimit për shumë vende”, thotë Vladimirov. /rel