“Kina përpiqet për kthimin e qytetarëve të Arakanit në Mianmar”

Kina po përpiqet të arrijë marrëveshje me Mianmarin për të mundësuar kthimin e 3.000 qytetarëve të Arakanit, nga 700 mijë prej tyre të cilët janë detyruar të strehohen në Bangladesh, duke ikur nga dhuna e ushtrisë së Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një diplomat evropian në Kombet e Bashkuara (OKB), i cili dëshiron të mbetet anonim në një deklaratë për një grup gazetarësh ka thënë se Kina po përpiqet të zgjidhë çështjen e refugjatëve të Arakanit, duke realizuar personalisht biseda dypalëshe me Mianmarin.

Ai thotë se aktualisht Mianmari ka vendosur një kuotë për më pak se 10 mijë refugjatë. “Kina po përpiqet të arrijë marrëveshje me Mianmarin për kthimin e 3.000 refugjatëve në shtëpitë e tyre. Kjo shifër është vetëm një pikë uji në oqean”.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, ishin të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin ndaj komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dëshmuar nëpërmjet imazheve satelitore se qindra fshatra janë shkatërruar.

Marrëveshja e nënshkruar midis qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për kthimin e qytetarëve të Arakanit në territorin e tyre mbetet në praktikë pa efekt pasi nuk është e mundur të dokumentohet gjendja e të zhvendosurve.

Organizatat ndërkombëtare dhe të OKB-së për të drejtat e njeriut, dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave të ndihmave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më sot nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit.

Organizatat e të drejtave të njeriut janë të shqetësuara se rikthimi i muslimanëve të Arakanit në Mianmar pa ofruar një mjedis të sigurtë do të çojë në një fushatë të re të spastrimit etnik.