Kina pas 5 muajsh regjistron mbi 100 raste me COVID-19 në ditë

Në Kinë janë regjistruar sot mbi 100 raste të reja të koronavirusit të ri (COVID-19), gjë që ndodh për herë të parë në të paktën pesë muajt e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë përmes një deklarate njoftoi se 103 raste të reja të COVID-19 u raportuan në 24 orët e fundit, prej të cilave 82 ishin në provincën Hebei që ndodhet në Kinën veriore.

Disa ekipe mjekësore nga provincat e tjera u nisën për në Hebei për të ndihmuar sistemin e kujdesit shëndetësor atje dhe për të ndaluar përhapjen e virusit i cili u raportua për herë të parë në qytetin e Wuhan në dhjetor 2019 dhe që atëherë është përhapur në të gjithë botën.

Qytetet Shijiazhuang dhe Xingtai në Hebei kanë raportuar përhapje të COVID-19 në dy javët e fundit, ndërsa numri i të infektuarve rritet.

Autoritetet lokale kanë zbatuar bllokim për të luftuar virusin. Trafiku drejt zonave të prekura është kufizuar, ndërsa hekurudhat lokale kanë pezulluar linjat.

Në veri të provincës Hebei, kryeqyteti Pekin gjithashtu ka forcuar masat për të bllokuar përhapjen e virusit, duke përfshirë një mbyllje të autostradës.

Kina ka raportuar 87.536 raste të COVID-19, përfshirë 4.634 raste të vdekjeve.