Në mesin e tensioneve të përshkallëzuara pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të rritur tarifat për importet kineze në 125 për qind, Kina ka dhënë mesazhin se nuk do të tërhiqet, transmeton Anadolu.
Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian, bëri një vlerësim mbi rritjen e fundit të tarifave nga administrata Trump dhe qëndrimin e Kinës kundër kësaj.
Duke theksuar se Kina nuk do t’i përkulet presionit për këtë çështje, zëdhënësi Lin tha se “Kina do të përgjigjet deri në fund, nëse SHBA-ja nuk interesohet për interesat e Kinës, SHBA-së dhe komunitetit ndërkombëtar dhe nëse ajo është e vendosur të bëjë një luftë tarifash dhe tregtare”.
Lin tha se SHBA-ja po abuzon ende me tarifat kundër Kinës, ndërsa shtoi se “Kina nuk do të pranojë lëvizje të tilla hegjemoniste dhe ngacmuese. Presioni, kërcënimet dhe shantazhet nuk janë mënyrat e duhura për t’u dakordësuar me Kinën”.
Ai ka mbrojtur idenë se SHBA-ja po i vendos interesat e veta egoiste përpara interesave të komunitetit ndërkombëtar në tërësi dhe po u shërben interesave të veta hegjemoniste duke shkelur të drejtat legjitime të vendeve të botës.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe të shikojmë ndërsa populli kinez privohet nga të drejtat dhe interesat e tij legjitime dhe që rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe sistemi tregtar shumëpalësh të minohen”, tha Lin.
Lin vuri në dukje se nëse SHBA-ja dëshiron vërtet negociata, duhet të shfaqë një qëndrim barazie, respekti dhe përfitimi reciprok.
– Rritja e “tarifave reciproke” të Trumpit dhe përgjigjja e Kinës
Presidenti amerikan, Donald Trump, më 2 prill njoftoi se do të vendoste tarifa shtesë prej 34 për qind ndaj Kinës si pjesë e “tarifave reciproke”.
Kina reagoi ndaj rritjes së tarifave të SHBA-së dhe njoftoi se në përgjigje të rritjes së tarifave prej 34 për qind do të vendoste tarifa shtesë me të njëjtën masë.
Presidenti Trump në përgjigje ndaj kësaj, deklaroi se nëse Kina nuk tërheq rritjen e tarifave shtesë prej 34 për qind të vendosur si kundërpërgjigje ndaj tarifave reciproke, ai do të vendoste tarifë shtesë prej 50 për qind dhe do të anulonte bisedimet e planifikuara me Kinën.
Me rritjen e re të tarifave, tarifa minimale që SHBA-ja ka zbatuar për produktet e importuara nga Kina u rrit në 104 për qind.
Kërcënimit të Trumpit për tarifa shtesë Kina iu përgjigj në të njëjtën mënyrë, duke njoftuar se e kishte rritur tarifën për produktet e importuara nga SHBA-ja në 84 për qind.
Edhe Trump në përgjigje të kësaj njoftoi rritjen e tarifës në 125 për qind.
