Kina lançoi raketa “vrasëse të aeroplanmbajtësve” duke paralajmëruar SHBA-në

Kina dhe SHBA kanë qenë dëshmitarë të një konfrontimi të rrallë në Detin e Kinës Jugore ndërsa ushtria kineze gjuajti raketa për të paralajmëruar forcat amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas së përditshmes “South China Morning Post”, ushtria kineze lançoi dy raketa përfshirë një “vrasës të aeroplanmbajtësve”, të cilin Pekini thuhet se e sheh si “një paralajmërim” për forcat amerikane në Detin e Kinës Jugore.

Zhvillimi vjen pasi në këtë det regjistrohet rritje e numrit të stërvitjeve ushtarake nga Kina, SHBA dhe aleatët e saj.

Washingtoni dje miratoi sanksione të reja ndaj ndërmarrjeve të caktuara shtetërore dhe drejtues kinezë për “aktivitete të rrezikshme” në Detin e Kinës Jugore.

Kina gjithashtu vendosi “përfaqësime të rrepta” pasi një aeroplan amerikan i zbulimit u detektua duke fluturuar mbi një zonë të ndaluar për fluturime të vendosur nga ushtria kineze në Detin Bohai.

Pekini u ankua të martën se SHBA dërgoi aeroplanin e saj të zbulimit të tipit U-2 në të ashtuquajturën “zonë të ndaluar për fluturim pa leje” kur ushtria kineze po mbante një stërvitje detare me municion të vërtetë në Detin Bohai në brigjet e saj veriore.

Një raportim i cili citon burime anonime thotë se ushtria kineze lançoi një nga raketat e saj DF-26B nga krahina veriperëndimore Qinghai dhe më pas një raketë DF-21D nga provinca Zhejiang në lindje të vendit.

“Të dy raketat u lançuan në një zonë midis provincës Hainan dhe Ishujve Paracel”, thuhet në raportim.

Raketa me aftësi të dyfishtë e tipit DF-26, raportohet se është e ndaluar në bazë të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (Intermediate), i cili u nënshkrua nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik i atëhershëm në fund të Luftës së Ftohtë. Megjithatë, SHBA më vonë u tërhoq nga marrëveshja, duke përmendur si justifikim përdorimin e armëve të tilla nga Kina.

Ushtria kineze ka mbajtur stërvitje ushtarake rreth Ishujve Paracel që nga 24 gushti, të cilat do të përfundojnë të shtunën.

Kina, Vietnami dhe Filipinet, mes shteteve të tjera, kanë debatuar për mosmarrëveshjet detare dhe territoriale të Detit të Kinës së Jugut për më shumë se dy dekada.

Pekini pretendon afërsisht 90 për qind të sipërfaqes totale të përcaktuar nga një hartë me një linjë të paqartë të demarkacionit në formë U të botuar në vitin 1947.

Ishujt thuhet se kanë rezerva energjetike. Deti është gjithashtu një rrugë e madhe tregtare, si dhe lokacion peshkimi.