Ministria e Jashtme e Kinës ka insistuar se nuk do të ketë fitues në një luftë tregtare mes Kinës dhe SHBA-së. Ajo i është kundërpërgjigjur paralajmërimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se do të vendosë 10 për qind taksa për produktet kineze.
“Ne gjithmonë kemi besuar se nuk ka fitues në luftë tregtare ose tarifore”, ka deklaruar zëvendësdrejtoresha e Departamentit për Informim në MPJ-në e Kinës, Mao Ning, raporton “BBC”. “Kina është e vendosur për t’i ruajtur interesat kombëtare”.
Trumpi ka deklaruar se tarifat mund të vendosen që nga 1 shkurti.
Si arsyetim ai ka përdorur pretendimet se po dërgohet drogë fentanyl nga Kina në Meksikë dhe Kanada. Kina vazhdimisht i ka mohuar këto pretendime.
Trump ka kërcënuar me taksa edhe Kanadanë, Meksikën si dhe Bashkimin Evropian.