Kina dhe Serbia vlerësojnë miqësinë e tyre “prej çeliku”

Zyrtarët serbë vlerësuan “miqësinë prej çeliku” me Kinën gjatë bisedimeve me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, mes shqetësimeve në Perëndim se Kina po kryen tepër investime në shtetin ballkanik, dhe se Pekini po përpiqet të ushtrojë ndikimin politik në këtë pjesë të Europës.

Serbia, një vend kandidat për në Bashkimin Europian, ka intensifikuar me shpejtësi marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Kinën në vitet e fundit, ku kompanitë kineze kanë marrë përsipër fabrikat kryesore të bakrit dhe çelikut në Serbi, si dhe kanë ndërtuar rrugë, fabrika dhe linja hekurudhore.

Bankat shtetërore kineze kanë dhënë me miliarda dollarë kredi për vendin ballkanik, për projekte ndërtimi që kryhen kryesisht nga punëtorë kinezë.

Kina, e cila e konsideron Serbinë një pikë hyrëse kyçe në Europë për nismën e saj ekonomike dhe politike, të quajtur “Rruga e Re e Mëndafshit”, ka eksportuar gjithashtu drone dhe pajisje të tjera ushtarake në Serbi, si dhe ka rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë së shtetit.

Ndërmjet viteve 2005 dhe 2019, Kina vlerësohet të ketë investuar rreth 10 miliardë dollarë në Serbi. “Në sferën politike, ne nuk kemi asnjë çështje të hapur”, i tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç ministrit kinez Wang, gjatë takimit të tyre në Beograd. “Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes vendeve tona dhe duam ta rrisim atë edhe më tepër nëse është e mundur.”

“Miqësia jonë është e sinqertë dhe e madhe dhe mund ta konsiderojmë një ‘miqësi të çeliktë’, tha Vuçiç, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve është trefishuar në pesë vitet e fundit.

Kina bleu fabrikën e vetme të çelikut në Serbi në vitin 2016 dhe dy palët shpesh i kanë përshkruar marrëdhëniet e tyre si një miqësi prej çeliku.

Wang tha se marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe shtetit ballkanik shumë më të vogël, mbështeten në barazi dhe janë të sinqerta. “Ne jemi shumë krenarë për zhvillimin e marrëdhënieve tona”, tha ai. /monitor