Shkrimtari Kim Mehmeti u ka dhënë një goditje të ashpër kuazi-analistëve nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët me afrimin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, po shpifin ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Mehmeti vlerëson se shpifjet e tyre, që kryesisht janë kundër Lëvizjes BESA, janë më të ashpra se shpifjet që u bëhen shqiptarëve nga qarqet radikale antishqiptare në Shkup e Beograd, prandaj edhe shpreh dyshimin se bëhet fjalë për akuza të paguara nga qendra të ndryshme.
Mehmeti poashtu nënvizon se kjo sjellje e analistëve nga Shipëria dhe Kosova, aspak nuk korrespondon me solidaritetin që kanë treguar shqiptarët e Maqedonisë në kohën kur qindra mijëra shqiptarë ishin të detyruar të migrojnë drejt Greqisë.
“Me qindra mijë shqiptarë shkuan në Greqi, ku ndërruan kombësi e fe, emër e mbiemër, por ne shqiptarët e Maqedonisë as i gjykuam, as i paragjykuam dhe as debatuam publikisht për ta, duke e ditur se ata janë vëllezërit tanë dhe se, varfëria të çon edhe në derë të ‘dushmanit’! Me dhjetëra mijë të reja e të rinj shqiptarë, i vërshuan rrugët e Italisë, ku ia zbritën çmimin ‘rrugaçërisë’, por ne shqiptarët e Maqedonisë nuk e përgjithësuam këtë dukuri, duke e ditur se ata janë një pikë ujë në detin e hallexhinjve shqiptarë dhe, duke e ditur se varfëria nuk njeh moral, e as nderë familjarë! Por, nga ana tjetër, sa herë që edhe dhjetëra shqiptarë të Maqedonisë dilnin e protestonin me ‘duva’ në gojë, në Tiranë e Prishtinë – thuajse bëhej fjalë për Beogradin dhe Shkupin maqedonas, ku antishqiptaria mbulohej me petkun e luftës kundër ‘radikalizmit fetarë’ – hapej ‘panairi’ i debateve dhe ‘ekspres’ dokumentarëve dhe, fillonte trajtimi i rrezikut ‘auroaziatik’, që na kanosej neve shqiptarëve të këtushëm, e të cilat debate e dokumentarë, vetëm se e shpalosnin ‘euroidiotizmin’ e intelektualizmit që përçan dhe deshqiptarizon!”, rikujton Mehmeti. Për të është e pakuptueshme se pse analistë të tillë rregullisht aktivizohen në momentet kur shqiptarët e Maqedonisë ngriten kundër radikalizmeve partiake që i varfëruan. “Pra sa herë që ne protestonim kundër ‘radikalizmit’ partiak, që e varfëronte popullin dhe e shkatërronte indin shqiptarë, sa herë pra që ne i rrezikonim partitë e këtushme, që ishin bërë grazhd nga i cili majmeshim shumë ‘intelektualë’ e ‘mendjendritur’ të Tiranës dhe Prishtinës, në mëmëdhe Shqipëri e atdhe Kosovë, zgjoheshin ‘mbrojtësit’ e shqiptarisë nga ‘radikalizmi islam’ dhe nga ‘turkoshakët’, duke na mbajtur ligjërata patriotike, thuajse ne ishim aq kokëtul, sa mos e dinim sa helmuese është përzierja politikë-fe! Ja, edhe sot, kur ne duam të shpëtojmë nga partizimi, kriminalizimi, akulturimi dhe politizimi i çdo pore të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, edhe sot kur disa nga ne themi hapur se Lëvizja BESA është shpresa jonë, që mund të na shpëtojnë nga e keqja e quajtur BDI, në Prishtinë e Tiranë, janë alarmuar ‘mbrojtësit’ e shqiptarisë, të cilëve unë nuk ua zë për të madhe pse e kryejnë ndershëm punën për të cilën janë të paguar nga punëdhënësit e tyre partiak, por ndjehem i ofenduar, i përbuzur dhe madje më vjen për të vjellë, kur e shoh se arroganca e tyre, herë-herë, shkon edhe përtej asaj të qarqeve antishqiptare në Beogradi e Shkup dhe, neve shqiptarëve të Maqedonisë, na mbajnë për aq sylesha, sa thuajse nuk jetojmë në kohën e internetit, por në atë të ’Sulltan Hamitit’, me çka edhe kemi nevojë që dikush të na tregojë se ku fillon përkatësia etnike, e ku përfundon ajo fetare!”, thekson Mehmeti.