Kifle të mbushura plot reçel

PËRBËRËSIT

  • 1/2 litra qumësht të vakët
  • 6 lugë sheqer
  • 16g majat ë freskët
  • 1 kg miell
  • 4 vezë
  • 100 ml vaj
  • Reçel sipas dëshirës për mbushje
  • Pak kripë

Përgatitja

Si fillim vendosni qumështin në zjarr të ngrohet pak, vetëm sigurohuni që të mos e nxehni shumë.

Aty shtoni sheqerin dhe majanë e freskët dhe përziejini derisa të tretet sheqeri.

Lëreni këtë përzierje në temperaturë ambienti derisa të aktivizohet majaja.

Më pas në një tas të madh sitni miellin dhe shtoni pak kripë, vezët e në fund vajin.

Me një pirun fillimisht rrihni vezët dhe vajin dhe pastaj nisni të punoni miellin nga anët drejt mesit.

Vazhdoni ta punoni derisa brumi të nisë të lidhet e më pas shtoni qumështin me majanë.

Kalojeni brumin në sipërfaqen e tavolinës të spërkatur me pak miell dhe punojeni me duar që sipërfaqja e tij të jetë e lëmuar.

Lëreni brumin që të pushoje derisa të dyfishojë volumin e tij, mund t’ju nevojitet deri në 1 orë.

Kur të ketë kaluar koha e nevojitur ndajeni brumin në 2 pjesë dhe hapini ato në formën e një pete të trashë rresh 1 centimetër.

Me ndihmën e një thike ndajeni petën në 8 trekëndësha.

Në bazën e secilit vendosi nga një lugë gjelle me reçel dhe mbështillini duke i rrotulluar drejt kulmit të trekëndëshit.

Kiflet e krijuara vendosini në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje apo thjesht ta keni lyer me pak vaj.

Nëse dëshironi t’i jepni një ngjyrë të artë perfekte mund t’i lyeni sipërfaqet e tyre me të verdë veze.

Piqini kiflet në furrë të ngrohur me 180-200 gradë për 20-25 minuta.